Korçë, probleme në akset rurale
Nisin problemet nga reshjet e dëborës dhe ngricat në juglindje të vendit. Rruga që lidh Korçën me Dardhën dje ka qenë gati e pakalueshme për shkak të dëborës dhe akullit në asfalt, ndërkohë që e njëjta situatë është paraqitur edhe në rrugën e Voskopojës, por kjo e fundit është hapur nga mjetet borëpastruese, duke mos paraqitur probleme të shumta. Gjatë ditës së diel, të gjitha akset nacionale që lidhin Korçën me rrethet e tjera kanë qenë të hapura dhe të kalueshme. Sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Nacionale në Korçë, të gjitha qafat dhe akset rrugore kanë qenë të hapura. Drejtori Kreshnik Zgjani thotë se gjatë natës është punuar në qafën e Plloçës për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve të një nate më parë. Segmenti midis Grabovicës dhe Qafë Plloçës ka qenë i vështirë për shkak të dëborës në një trashësi prej 25 cm, por siç deklaron Zgjani, brenda një ore mjetet borëpastruese kanë mundur ta hapin këtë segment dhe rruga drejt qytetit të Pogradecit ka qenë e kalueshme dhe pa probleme gjatë ditës. Reshjet e dëborës kanë shkaktuar vështirësi në akset rurale të zonave malore të Korçës. Sipas shtabit të emergjencave civile, nuk ka pasur defekte në furnizimin me energji elektrike në zonat rurale, pavarësisht nga reshjet e dëborës. Ndërkohë, temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe për këtë arsye policia rrugore ka kryer kontrolle për të paralajmëruar drejtuesit e mjeteve të kenë në gatishmëri zinxhirët në rast të shtresave të akullit dhe të dëborës në rrugë.
J.Dhimitri
J.Dhimitri