Shoferit i bie infarkt, vdes gruaja dhe plagoset kunata
Ktheheshin nga dreka që kishin kaluar te disa të afërm në Fier, vdes çifti i bashkëshortëve vlonjatë. Ngjarja e rëndë rrugore ka ndodhur në rrugën dytësore Levan-Pishporo, në vendin e quajtur "Kthesa e Qarrit". Ka qenë ora 16:30 kur Medi dhe Liljana Mata, përkatësisht 58 dhe 52 vjeç, kanë marrë rrugën për t‘u kthyer në banesën e tyre në lagjen "24 maji" të qytetit të Vlorës. Mësohet se çifti i bashkëshortëve Mata kishte qenë për një drekë te disa të afërmit e tyre në fshatin Qarr. Ata udhëtonin me automjetin e tyre privat, kamionçinë e vogël, tipi "Fiat", me targa VL0132D. Së bashku me ta në makinë udhëtonte edhe e kunata, Dallëndyshe Isufi, kjo e fundit banore e fshatit Qarr, ku çifti kishte drekuar të dielën. Ndërsa kanë udhëtuar rreth 600 metra rrugë nga dalja e fshatit Qarr, Medi Mata që drejtonte automjetin papritur ka humbur kontrollin. Pasi ka ecur rreth 30 metra jashtë karranxhatës së rrugës, automjeti së bashku me tre personat që ndodheshin brenda tij ka rënë në kanalin anësor. Kanali ka qenë i mbushur me ujë dhe me sasi të madhe barërash. Mjetet e rastësishme kanë parë skenën e rëndë dhe kanë njoftuar policinë. Mjaft forca policore dhe tre zjarrfikëse i janë drejtuar menjëherë vendit të aksidentit, i cili ndodhej rreth 13 km larg Fierit. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë për "Shqip" se rreth 30 minuta policia e ka pasur të pamundur nxjerrjen e mjetit të përmbysur në kanal, ku gjendeshin tre personat. Është nevojitur ndërhyrja e një skrepi të firmës private që po ndërton autostradën, për të tërhequr dhe nxjerrë me litar makinën. Policia bën të ditur se në momentin e nxjerrjes së makinës së aksidentuar, drejtuesi Medi Mata ka rezultuar i vdekur, ndërkohë që bashkëshortja e tij Liljana ka qenë në grahmat e fundit të jetës. Ajo ka vdekur në rrugë, ende pa u futur në autoambulancë. E vetmja e mbijetuar është e kunata, Dallëndyshe Isufi, e cila është transportuar me të shpejtë drejt spitalit rajonal të Fierit. Trupat e pajetë të çiftit janë dërguar në morgun e Fierit. Burimet nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se ekzistojnë dyshimet dhe provat e qarta se drejtuesi i mjetit, Medi Mata, të ketë pësuar një goditje kardiake në zemër, çka mund ta ketë detyruar të humbasë kontrollin e mjetit dhe për pasojë të shkaktojë aksidentin tragjik. Në mbrëmjen vonë të së dielës, trupat e pajetë të çiftit Mata janë dërguar për në Vlorë.
M. Troka
M. Troka