E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha: BE, optimist per heqjen e vizave me Shqipërinë, brenda 2009

Qeveria shqiptare ka gjetur mirëkuptim edhe për paraqitjen e kërkesës për marrjene  statusit të vendit kandidat për në BE, si një stacion normal që vjen menjëherë pas përfundimit të procesit të ratifikimit të MSA-së. BE premton një ndihmë të re prej 200 milionë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor


Lulzim Basha ka marrë pjesë dje në Takimin Informal të Ministrave të Punëve të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë në një format të tillë ishte i ftuar dhe mori pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, i cili mbajti edhe një fjalë gjatë Takimit me Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së. Z.Basha, deklaroi sot për mediat se Presidenca Çeke e BE-së, vendet anëtare dhe Komisioni Evropian ndanë me Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të rajonit vullnetin e tyre të përbashkët për sa i përket domosdoshmërisë së liberalizimit të plotë të regjimit të vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. “Mbështetur në të dhënat paraprake të misioneve faktmbledhëse, përfaqësuesit e Presidencës, të vendeve anëtare dhe Komisionit shprehën optimizëm të matur për përmbylljen me sukses të procesit të heqjes së vizave për Ballkanin Perëndimor brenda vitit 2009”, - nënvizoi Basha. Ndërkohë, Ministrat e Punëve të Jashtme të pranishëm në këtë takim diskutuan edhe mbi krizën financiare dhe ekonomike. Në këtë kontekst, duke u bazuar edhe në argumentet dhe kërkesat që Ministrat e rajonit shprehën gjatë mëngjesit të punës me Zv.Kryeministrin Çek, Aleksandër Vondra, u ra dakord për një paketë ndihme prej 150-250 milionë euro në mbështetje të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë fjalës të tij në takim, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, falënderoi Presidencën Çeke për vendosjen e Ballkanit Perëndimor dhe të proceseve integruese të tij në BE si prioritete të aktivitetit të saj në këto 6 muaj. Ai shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për të gjitha vendet anëtare të BE-së për ratifikimin e MSA-së. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hyn në fuqi më 1 prill, vijoi Ministri Basha, dhe në të njëjtën javë Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Në këtë mënyrë, ka theksuar z. Basha, zgjerohet më tej zona e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. “Shqipëria është e vendosur të vijojë rolin e saj konstruktiv në rajon, si një faktor moderimi, stabiliteti, dialogu e tolerance. Ajo mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal e do të vazhdojë të kontribuojë në projektin evropian e euro-atlantik të rajonit me të gjitha mjetet e mënyrat”, - ka vijuar më tej Ministri Basha. Pas vlerësimeve pozitive dhe inkurajuese të Ministrave të Jashtëm të BE-së për suksesin e reformave dhe rolin e Shqipërisë në rajon, Ministri Basha u shpreh se procesi i integrimit evropian është një histori suksesi e përbashkët e BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përshpejtimi i sforcuar i këtij procesi nuk i shërben as vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe as vetë procesit. Por nga ana tjetër, ka shtuar Basha, ngadalësimi artificial i tij mbart rreziqe jo vetëm për procesin e integrimit, por edhe për paqen e stabilitetin në rajon. Ministri ka vënë në dukje se Shqipëria beson në ecjen e natyrshme përpara në procesin e integrimit evropian të rajonit, mbështetur në meritat dhe performancën individuale të çdo vendi. “Në këtë kontekst, ka vijuar Ministri Basha, - ajo mbetet e vendosur të koordinojë me Presidencën Çeke, vendet anëtare dhe Komisionin Evropian, hapat e mëtejshëm për avancimin e integrimit evropian të vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›