E Diel, 1 Nëntor 2026

RTK: Kryeministri Berisha do vizitojë Kosovën në fund të muajit prill

Kreu i qeverisë pritet të takohet me krerët më të lartë të shtetit, ku do të nënshkruhen edhe dy marrëveshje ndërshtetërore. Gjithashtu, kryeministri Berisha do të takohet edhe me përfaqësuesit e misionit EULEX. Nuk planifikohen takime me përfaqësues të UNMIK-ut, mision që po kërkohet ta mbyllë misionin e tij në Kosovë

Kryeministri Sali Berisha ka planifikuar të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Sipas njoftimeve të Radiotelevizionit shtetëror i Kosovës, i cili e ka publikuar lajmin edhe në faqen e vet të internetit, vizita e kryeministrit të Shqipërisë do të kryhet brenda muajit prill. Sipas informacionit të RTK-së, vizita e Berishës - e para, pasi Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt 2008 - do të zhvillohet në javët e fundit të muajit prill. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kryeministri Sali Berisha pritet të ketë takime me drejtuesit e lartë të shtetit, presidentin Fatmir Sejdiun, kryeministrin Hashim Thaçi si dhe me përfaqësuesit e EULEX-it. Në njoftim mungojnë njoftimet për takime me përfaqësues të UNMIK-ut, mision që nga klasa politike në Prishtinë është kërkuar ta mbyllë përfaqësinë e vet dhe të largohet nga vendi. Sipas medias shtetërore të Prishtinës, gjatë kësaj vizite kryeministrat e dy vendeve të Shqipërisë e Kosovës do të nënshkruajnë dy marrëveshje ndërshtetërore. Berisha e kishte vizituar Kosovën për herë të parë në vitin 2006 kur, pak muaj pasi u emërua kryeministër, në muajin qershor, zhvilloi një axhendë treditore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›