E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi - Kartat e identitetit, falas ose me 200 lekë për shumë kategori shtetasish

Edhe pse mbeten në fuqi sanksionet për ata që refuzojnë të paraqiten para zyrave të gjendjeve civile, qeveria ka miratuar dje një ulje drastike çmimesh për kategori të gjera shtetasish, në mënyrë që të mos vihet në rrezik procesi i ardhshëm zgjedhor


Qeveria “Berisha” deklarohet e vendosur për të ndërmarrë të gjitha nismat që ajo ka në dorë, me qëllim që pajisja e shtetasve shqiptarë me karta identiteti të mos bëhet pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, sipas standardeve ndërkombëtare. Sot ka dalë edhe vendimi pozitiv lidhur me kërkesën për të ulur çmimin e kartave të reja të identitetit. Vendimi përmban një ulje drastike të tarifave. Për kategoritë që përfitojnë nga ulja, konfirmohet se do të përfitojnë jo vetëm ata që aplikojnë nga sot e tutje, por edhe ata që kanë aplikuar më parë. Kjo do të thotë se aplikuesve të deridjeshëm do t’u rikthehen shumat e paguara pa hyrë në fuqi vendimi i sotëm. Vetë Ministri i Brendshëm Bujar Nishani doli sot në mesditë para gazetarëve për të lajmëruar vendimet e marra, por duke kujtuar se bashkë me lehtësitë, mbeten në fuqi edhe masat shtrënguese për aplikuesit. Ministri Nishani konfirmoi se “për të gjithë personat para dhe tetraplegjikë si dhe për personat e verbër, letërnjoftimet do të jepen falas”. Sakaq, “për të gjithë ata që deri më datë 28 Qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri më datën 1 Maj 2009, çmimi i kartës do të jetë 200 lekë. E njëjta vlerë, pra 200 lekë, do të paguhet edhe nga të gjithë studentët. Po 200 lekë do të jetë tarifa dhe për të gjithë ata që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të papunësisë. Ministri i Brendshëm lajmëroi se për të gjithë pensionistët që kanë pensionet minimale në qytet dhe të gjithë pensionistët në fshat, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri me datën 1 Maj 2009, çmimi i letërnjoftimit do të jetë 300 lekë. Duke argumentuar këtë ulje të rëndësishme të tarifës për kartat, Nishani tha se kjo bëhet “për të ndihmuar më tej procesin e pajisjes me letërnjoftimet elektronike të qytetarëve që nuk disponojnë pasaportën për udhëtim jashtë vendit”. Kështu, për të lehtësuar edhe më tej procesin, duke filluar nga data 1 Prill 2009 deri më datën 1 Maj 2009, personat që e kanë pasaportën për udhëtim jashtë vendit, nuk do të lejohen të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›