Saviano e Nano
Në Otellon e William Shakespeare tradhtia e Desdemonës nuk ishte, por Iago-ja kishte nevojë perverse të hakmerresh në skenë me porosi të spahiut të tij: hije. E shpeshherë njeriu ka nevojë për heronj për t’u konfrontuar me realitetin e dhimbshëm të sakrificave. Madje pusia sa hap e mbyll sytë ndërhyri m’u në mejdan. Fabrika e frikës është lëshuar të mbërthejë shpirtrat dhe mendjet e shqiptarëve. Dhe gazetari Mustafa Nano taumaturg i liderëve të së majtës shqiptare hidhej pardje në një shkrim të tij dhe lëshon sokëllimën drithëruese për një Saviano shqiptar. Sepse Saviano - simbas tij - përfaqëson një lloj njeriu të së majtës evropiane që ndërmerret me konfliktet sociale. Nuk merret vesh nëse flet hapur për Saviano-n apo mbyllur për sozinë e tij shqiptare? I marrim të dyja. Nuk ka dyshim, gjesti i librit Gomorra i shkrimtarit Roberto Saviano, i ka dhënë më shumë pamje çështjes së mafias Kamorra në publikun e gjerë italian, atë mediatike evropiane. Janë më shumë të ndërgjegjshëm, por asgjë nuk ka ndryshuar në planin praktit. E gjërat nuk janë gjithmonë ashtu siç na shkruhen. Për shembull, edhe ky shkrimtar hero për disa ka rrenga të serta. Për shembull, nuk thuhet se disa faqe të librit të Gomorrës janë një plagjiaturë e një kronisti lokal napoletan. Nëse kjo është të bësh pis një vepër është diçka qesharake; kjo është të thuash të vërtetën e pastër. Është sikur të thuash se eci në një rrugë me baltë dhe nuk baltosem. Nuk është reale. Nuk është në plumbçe.
Mirëpo Saviano ka bërë një të pabërë kur nuk ka cituar artikujt e kronistit Simone di Meos, në librin e tij non-fictiondokumentarist mbi Casal del Principe, e cila është kështjella e mafies Kamorra. Jeta e kronistit nuk do të kishte ndryshuar kushedi se çfarë, por po flasim për principe e vlera të ndara botërisht. Njohja e punës së tij do të ishte një gëzim shpirtëror. Pra dikush dy mijë vjet na mësoi “jepi Cesarit atë që është e Cesarit”, dhe Simone di Meo-s atë që është e Simone di Meo-s. Shpagim. Moral. Nuk është një silogjizëm, por një e vërtetë e lehtë, e dikujt nuk i pëlqen. Edhe heroit kanë defektet e tyre. Ju kujtohet, edhe Akili vishej si femër. Saviano veç ka bërë pak plagjiaturë. Atëherë mos të hiqet si një i pastër, si një sojli i kulluar. Prej tij e sidomos shkrimtarit apo qytetarit Saviano që jep shembullin e sjelljes duhet një mea culpa, një mea maxima culpa.
***
Përsa u përket antikorpeve të shoqërisë italiane që koracojnë Savianon nga hedhja e baltës është e vështirë ta cilësosh, e sidomos vështirë të bëhet kur njohja e asaj shoqërie është me dylbi. E njoh shumë mirë situatën e “vështirë” të opinionit publik italian. Një kulturë publike e thellë konservatore, e cila vërtetohet sa herë ka zgjedhje ose tele-votimet e Grande Fratello-s, të cilat i fiton Silvio Berlusconi ose të besuarit e tij, jo se ka kapacitete të jashtëzakonshme, por u jep ngjyrë kërkesave të elektoratit të tij. Galvanizon shpirtin reaksionar gerontokrat italian.
Një sqarim për lexuesit: Umberto Eco është një profesor i mrekullueshëm – njohje personale – dhe leksionet e tij semiotike janë gjithmonë aktuale, por kur merr përsipër të zgjidhë nyjën e gordianit me fjalë duket shumë i pafuqishëm. Ai nuk bën pjesë në panteonin e së majtës italiane – siç kërkojnë ta përvetësojnë këtej e andej Adriatikut - për vetë faktin se është një intelektual poliedrik e i mençur, i cili kur i kërkohet të japi ndonjë përgjigje jep një përgjigje. Dhe jo Përgjigjen me P të madhe, se ajo është e dikujt tjetër. Është e vërtetë kur zoti Nano thotë se në Shqipëri ka një dyshim preventiv ndaj personave që kërkojnë të bëhen fringo heronj kombëtarë. Por nuk thuhet falë zotit që ia arritëm të dyshojnë për atë që na ofrohet si zgjidhje e shpejtë, si një panaçea. S’kemi si mos të harrojmë arritjet e ofertat e sovkozeve të bllokut sovjetik e komunist.
***
Tjetër. Biografitë e njerëzve janë gjithmonë interesante dhe ndihmojnë qytetarët të kuptojnë se kush është, çfarë kryeson, çfarë përfaqëson, përse lëshon disa ide dhe jo të tjera, e siç ndodh çdo njeri ka një anë të errtë dhe të pazbuluara ndonjëherë. Mjafton të reflektojmë se një fëmijë i rritur në një familje të dhunshme, domosdo sensibilitet i tij ndaj dhunës do jetë i pakët sepse e shikon si gjë normale dhunën. Shiko fëmijërinë e diktatorit E. Hoxha. Kështu edhe për anën morale të njerëzve. Flas qartë, unë si qytetar nuk dua të qeverisem nga një njeri që cilësohet si amoral bile dhe i provuar si i tillë. Nëse quhet reaksionar për këtë atëherë dua të jem reaksionar. Gjykoj se një artistit mund të jetë libertin ose/dhe ahengxhi orgjish por jo një drejtues i lartë i shtetit. E mendonte kështu dhe Plutarku të vepra “Vite Parallele” e “Moralia”, përpara dy mijë vjetësh kur
krahasonte biografitë e njerëzve më të ndritur. Disa gjëra nuk ndryshojnë në kohë sepse janë superstruktura të ndërlidhura në mish e shpirt të njeriut. Nuk flas për agjiografi gazetareske që i bëhet liderit të radhës, por për bio-grafi, pra shkrimi i jetës të liderit që do të na governojë punët publike. Edhe Niccolò Machiavelli që mbahet mend vetëm për këshillat cinike ndaj “Princit”, e harrohet nga njerëzit e thjeshtë, se kur shkruan biografinë e “Vita di Castruccio Castracani” na flet për vlerat që duhet të këtë një lider lokal apo qendror. Se ndryshe përfundon në ajarin e kohës.
***
Është e lehtë të bësh snobizmin kur thua se të rinjtë që hyjnë në politikë janë sozia e të vjetërve. Madje, gazetarët apo analistë janë ata të parët që thonë se nuk besojnë në këtë politikë, në politikën në përgjithësi, e kështu lëshojnë helmin e cinizmit, që s’bën gjë tjetër veçse të ri-forcojë sistemin e jo ta riformojë. Ndodhte kështu edhe gjatë komunizmit ku njerëzit tregonin fshehurazi barsoleta që ngjanin subversive, por s’kishte asgjë revoltuese në ato fjalë përkundrazi përhapte një cinizëm dhe një indiferencë që nomenklatura lejonte për të mbajtur pushtetin. Ishin valvulat e rebelimin individual, që mbaronte kur mbaronte barsoleta. E rëndësishme është ajo që bën, e jo ajo që thua apo është e kundërta?