Lulzim Basha: “Fund abuzimit me tokën në Tiranë, dëmshpërblimi me vlerën e tregut”
Kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës i rikthehet temës së biznesit dhe të rivlerësimit të pronave
Lulzim Basha, kandidati i mazhorancës për kryebashkiak i Tiranës vazhdon të prekë problemet e kryeqytetit. Në takime me banorë dhe përfaqësues të bizneseve në kryeqytet, Lulzim Basha premton zgjidhjen e problemeve të kompensimit të tokës, të ujësjellësit dhe krijimit të një linje transporti Tiranë - Vorë për punonjësit e bizneseve të autostradës.
Projekti i Lulzim Bashës për zhvillimin e Tiranës, bazohet në vlerësimin real të pronës. Në këtë kontekst, bashkëbisedimin me banore të njësisë bashkiake nr. 3, Basha garantoi se do ti japë fund abuzimit me pronën dhe se çdo centimetër toke që do të përdoret për investime publike, do të kompensohet me vlerën e tregut.
“Dyqani ka qenë deri atje nuk më kanë dhënë asnjë cen. Kam tapinë e vitit 1948 që e kam blerë”, tha një pronar i vjetër toke në bashkëbisedim me Bashën.
“Jemi tironas 100 vjeçar këtu na ka marrë 3 metra oborr. Nuk na ka dëmshpërblyer fare, Bashkia nuk na pyeti. E mori oborrin për të parkuar makinat anës rrugës”, tha një tjetër qytetare, autoktonase.
“Kjo nuk mund të ndodhë më dhe nuk do të ndodhë më. Me planin e ri urbanistik çdo pronar do të ketë të drejtë ta zhvillojnë pronën e vet në mënyrë propocionale dhe asnjë centimetër katrorë pronë nuk do të preket pa dëmshpërblim me vlerën e tregut”, tha nga ana e tij Basha.
“Taksat janë shumë të larta, taksa e tabelave nuk merret vesh fare”, tha një tregtare. “Taksën e tabelës do t’ua heq, taksën e gjelbërimit do t’ua heq, taksën e pastrimit do t’ua ul deri në tre here. Ky është zotimi im”, u përgjigj Basha. “Kemi dy dyqane të vogla këtu paguajmë 1 milion e 800 mijë lek”, tha një tregtar. “Që nga shtesat, që nga hapja e dritareve të gjitha volume e vogla të ndërtimit do të kalojnë në kompetencë të Njësive Bashkiake”, tha Basha. “Në mbytën gropat shpresat i kemi tek ti” tha një banor. “Kanalizime nuk ka fare, hidhet asfalti sipër ujërat dalin dhe mbushin rrugët si ujërat e zeza dhe ujërat e bardha. Nuk kalon dot në rrugë se të mbysin plehrat. Është e tmerrshme”, tha një banore.