E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha dhe Durim Hushi, arkitektët e zonës urbane Tiranë-Elbasan

25-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha promovon investimin më të madh të 2011-s, atë të autostradës Tiranë-Elbasan, si një projekt që do përmbyllet me shpejtësi dhe me sukses nga administrimi i përgjegjshëm i të dy qyteteve nga kryebashkiakët e rinj, Lulzim Basha e Durim Hushi

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në një takim me banorë të lagjes “Skënderbej” në Elbasan, se pas pak ditësh do të inaugurojë fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Elbasan-Tiranë, rrugë e cila shkurton me 50 minuta distancën me Tiranën, duke e kthyer kështu Elbasanin në një metropol. Duke kujtuar edhe një herë natën e gjatë në parlament ku “kalorësit e rrugës së vetmuar” bllokuan buxhetin për tunelin dhe autostradën Elbasan-Tiranë, kryeministri tha se “nuk ka gjë në botë që pengon ndërtimin e tunelit, pasi për Edi Ramën tuneli dhe autostrada duhej të mos ndërtohej 100 herë se sa ta ndërtonte qeveria Berisha, por e vërteta është se tunelin e ndërtoni ju, dhe jemi të vendosur që paratë tuaja, taksat tuaja do t’i kthejmë në tunele, në shkolla, në ujësjellës, në punësim, në rritje rrogash”.
Kreu i ekzekutivit theksoi nga ky takim me qytetarët e Elbsanit se Lulzim Basha kryetar i bashkisë Tiranë dhe Durim Hushi i bashkisë së Elbasanit, do bashkojnë së bashku këto dy qytete. “Ju bëj thirrje nga kjo tribunë, të rikujtoni natën, kur, në parlament, gjer vonë pas mesnate, kalorësit e rrugës së vetmuar mbajtën parlamentin, bënë çdo gjë për ta bllokuar, vetëm e vetëm të mos votohej buxheti për tunelin. Atë natë ju deklarova se nuk ka gjë në botë ta pengojë ndërtimin e tunelit, se zotërinjve deputetë socialistë të Elbasanit, të Korçës, Librazhdit që komandoheshin me SMS për të votuar kundër tunelit, qytetarët e Elbasanit, të Korçës, të Librazhdit do të dinë t’u japin përgjigjen e merituar me votën e tyre. Për zotin Edi Rama, autostrada dhe tuneli më mirë të mos ndërtohej njëqind herë, sesa ta ndërtonte atë qeveria e Sali Berishës. E vërteta është se tunelin e ndërtoni ju, gratë e burrat e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë, me mbështetjen e madhe që i keni dhënë e i jepni kësaj shumice dhe ne jemi të vendosur që paratë, taksat e djersën tuaj ta kthejmë në rrugë, në tunele, në shkolla, në ujësjellës e kanalizime, ta kthejmë në biznese, të nxisim turizmin, të nxisim ekonominë, të rrisim rrogat. Dua t’ju rrëfej se unë i kam ndërprerë inaugurimet, por në fund të këtij muaji, atë inaugurim nuk e ndërpres dot, do ta bëj. Ai është ëndrra juaj, është ëndrra ime, është ëndrra e të gjithë shqiptarëve që duan Elbasanin, që duan Tiranën. Jam këtu për t’u zotuar se në 18 muaj, dy qytetarët e parë, qytetari i parë i Tiranës dhe qytetari i parë i Elbasanit, zoti Lulzim Basha dhe zoti Durim Hushi do të inaugurojnë tunelin, do të bashkojnë Tiranën me Elbasanin”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë tha se “pas disa ditësh do ta inaugurojmë këtë tunel, sepse ajo është ëndrra ime, ëndrra juaj, pasi jam këtu për t’u zotuar se brenda 18 muajsh dy qytetarët e parë, Lulzim Basha i Tiranës dhe Durim Hushi i Elbasanit, do të inaugurojnë rrugën që do të bashkojë Tiranën me Elbasanin”.
Kreu i qeverisë garantoi banorët e lagjes “Skënderbej”, pjesa më e madhe e të cilëve i përket komunitetit kosovar, dhe të gjithë banorët e Elbasanit se “në katër vitet që do të vijnë do të shumëfishojmë investimet në Elbasan. Gjatë këtij katër vjeçari qyteti do të ketë unazën dhe Bay-Passin e vet. Do të ndërtojmë rrugë, qendra shëndetësore, shkolla, do të bëjmë një Elbasan të zhvilluar, pasi alternativa jonë ka në qendër qytetarin, ka punësimin, arsimimin, tuaj”, tha kryeministri.
Gjatë këtij tubimi Kryeministri Berisha u zotua se, “gjatë katër viteve që vijnë parku industrial do të njohë dimensione të reja dhe Qarku i Elbasanit do të jetë qendër energjetike dhe e hidrocentraleve, ndërsa shtoi se, do të lëshojë shtat Boshti i Jugut, pasi ne nuk do të lemë asnjë zonë turistike pa e bërë disponibël për qytetin tuaj”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›