“Universiada” dhe projektet e punësimit, pikat e forta të alternativës “Basha” për kryeqytetin
14 universitete publike dhe private nga e gjithë Shqipëria morën pjesë në aktivitetin e njohur si “UNIVERSIADA”, ku këto universitete garuan mes tyre në sporte të tillë si Atletika, Minifutbolli, Basketbolli, Volejbolli apo Pingpongu.
Në finalen e “UNIVERSIADE”-s ishte i pranishëm edhe kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. UNIVERSIADA u fitua nga Universiteti i Sporteve të Tiranës, duke lënë në vend të dytë Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ndërsa në vend të tretë doli Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës.
Duke uruar kampionët Basha garantoi se nën drejtimin e tij, Bashkia e Tiranës do të financojnë gara sportive por jo vetëm mes shkolla të Tiranës. “Ne do ta mbështesim fuqishëm këtë “UNIVERSIADE” dhe kjo do të kthehet si një traditë të përvitshme me mbështetje të fuqishme të Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut tuaj të ardhshëm. Ju siguroj se Bashkia e Tiranës do të rikthejë të gjitha ambientet sportive dhe do investojë për këtë. Studentët e këtij Universiteti të mrekullueshëm kur të mbarojnë dhe do kenë diplomat e tyre, do të kenë po kështu me dhjetëra ambiente të reja sportive, palestra të mrekullueshme si kjo për të kryer aktivitetet e tyre, për t’i dhënë qytetarëve të Tiranës cilësinë e jetës”, tha Basha.
Tradita e universiadave në botë është e hershme dhe për herë të parë një veprimtari e tillë është organizuar në vitin 1923 me emrin “Kampionati Ndërkombëtar i Universiteteve”, ndërsa emri i tanishëm, UNIVERSIADE, nisi të përdorej që nga viti 1959 në lojërat e Torinos në Itali.
“Punësimi i të rinjve, pjesë thelbësore e projektit fitues”
Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka takuar dje dhe të rinjtë në zonën e ish bllokut (e frekuentuar bindshëm nga të rinjtë), duke iu përgjigjur ftesës së tyre për një kafe. Kandidati demokrat ka bashkëbiseduar me ta jo vetëm për programin si kandidat për kryetar bashkie, por ka shuar kureshtjen edhe për pyetje me karakter personal siç për angazhimin tij në sport, por edhe për vëzhgimin e zgjedhjeve pluraliste. Lulzim Basha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së të rinjve për tu bërë pjesë e një feste të organizuar prej tyre. Politikat për të rinjtë zënë një vend të veçantë në programin e Lulzim Bashës, e për këtë arsye kandidimi i tij për kryetar bashkie po mbështet në masë prej tyre çka dëshmohet edhe në shifrat rekord mbështetja në Facebook. “Kemi një aspekt që është gati për Tiranën Europiane dhe kjo është rinia moderne Europiane që e do Tiranën me të gjithë zemër dhe që sonte kjo rini, ja ku jemi real, nuk jemi virtual. Që prej sonte jemi në Facebook jo më pak se 200 mijë”, deklaroi Basha. Duke i njohur të rinjtë me specifikat e programit të tij, për qeverisjen e Tiranës pas fitores më 8 maj, Basha i garantoi ata se punësimi mbetet objektivi kryesor.
Sikundër dhe është bërë e ditur nga kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, punësimi i të rinjve do të jetë hapi i parë i administratës së Bashës në bashkinë më të madhe në vend, atë të Tiranës.