Për një përgjegjësi qytetare mbi atë partiake
Kthimi i përgjegjësisë
Vite më parë kam ndjekur në radio një pjesë teatrale me titull: Kthimi i përgjegjësisë. Ishte historia e një rreshteri që kishte humbur në një betejë të gjithë ushtarët e skuadrës së tij. E përjetuar prej tij me mjaft përgjegjësi e dhimbje, kjo humbje njerëzore u bë një makth i vërtetë netësh pa gjumë. Fizikisht e moralisht i shkatërruar ai shkoi te gjenerali për ti kthyer përgjegjësinë e shokëve të skuadrës, për ti përfshirë edhe ata në listën e disa mijëra ushtarëve të vrarë të divizionit… Nuk e di pse mu kujtua kjo ngjarje gjatë deklarimit të dorëheqjes së kryetarit të PS-së së Tiranës, e motivuar kjo si përgjegjësi vetjake ndaj mbrojtjes së votës në procesin zgjedhor në kryeqytet, ndërkohë që nuk kemi dëgjuar ndonjë deklarim përgjegjësie nga drejtuesi socialist i fushatës së zgjedhjeve në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm e thjesht për teprimin e tij të kandidimit, por dhe mbrojtjen e votës, sasinë e saj në kuadër të koalicionit etj…
Liria dhe miti i disiplinës
Dihet se një parti politike është një bashkim njerëzish me qëndrime, orientime e botëkuptime të njëjta ose të përafërta për të realizuar synime të caktuara. Në një shikim pragmatik, ajo përfaqëson atë grup njerëzish që organizohen e bashkohen në mënyrë të lirë, bazuar në një program e parime për kontrollin e qeverisjes, për realizimin e politikave publike të caktuara, në shërbim të elektoratit e qytetarëve. Për më tepër që përfaqësimi politik i popullit është kriter bazë i një partie politike, që e dallon atë prej grupimeve të tjera jopolitike si, p.sh., iniciativave qytetare, OJQ-ve etj. Por, ndryshe nga ky përafrim i drejtë, vitet e fundit, në drejtimin e PS-së, është adoptuar një konceptim i paqartë politik-partiak shumë më afër një iniciative sesa një partie politike moderne. Nga ana tjetër, duke imituar PD-në, edhe në PS, vitet e fundit, është goditur seriozisht liria e vendimmarrjes partiake, parimi i kolegjialitetit dhe ai i kohezionit apo i solidaritetit në shumëllojshmëri. Për këtë ka shërbyer edhe fuqizimi tej mase i rolit të kryetarit të partisë ndaj strukturave kolegjiale të saj. Pra, në ngjashmëri me PD-në, me tkurrje po rezulton në PS hapësira e lirisë në funksionimin e saj. Po ashtu, edhe pse në pluralizëm qëllimi i një partie (një grupi partish në koalicion) është fitimi i shumicës parlamentare dhe i ndikimit mbizotërues politik, d.m.th. dhe realizimi i qeverisjes, liria e organizimit përkatës e bën shumë më elastik, shumë më të përkulshëm konceptin e disiplinës partiake sot, ndryshe nga miti i saj i dikurshëm në një sistem politik njëpartiak, ku partia dhe shteti shkriheshin në strukturën dhe hiperstrukturën diktatoriale të partisë-shtet. Çudia e radhës është se në PS sot, gjoja në emër të disiplinës, janë duke u emetuar zëra për përjashtime nga partia të disa drejtuesve të saj. Madje, nga persona që nuk kanë pasur kontribut të mëparshëm në këtë parti apo që janë marrë me bizneset e fitimet e tyre në periudhat nga më të vështirat, që ka kaluar kjo parti!…
Dihet se zhvillimet demokratike në jetën partiake pasqyrohen drejtpërsëdrejti në demokratizimin e qeverisjes. Në këtë kuptim, edhe thelbi i sistemit partiak, liria e demokracia të aplikuara brenda partive politike, reflektojnë përmbajtjen e vetë nivelit demokratik të qeverisjes. Kjo është shfaqur e vazhdon të shfaqet qartë edhe në kushtet tona. Veçse, në Shqipëri, strukturat politike-partiake, krahas vonesës historike, mbartin edhe zigzaget e kalimit nga konceptimi fillestar liberal-demokratik, tek ai autokratik-monarkik dhe më tej tek ai totalitarist-komunist. Kurse, në fillimet e tranzicionit, 20 vjet më parë, partitë, me gjithë defektet serioze, u bënë strukturat politike bazë të mekanizmit të drejtimit e kontrollit të qeverisjes (qendrore e vendore) nëpërmjet përfaqësimit si delegim vullneti e vote populli. Pikërisht, pamja aktuale e sistemit partiak dhe liria e cunguar brenda partive politike reflekton sot nivelin shqiptar të demokracisë në qeverisje e shoqëri. Madje, duke ekspozuar qartësisht lidhjen apo trinomin shoqëri-parti-qeverisje. Për më tepër, vetë partitë, në lidhje me qeverisjen, kryejnë një rol të ngjashëm me atë të enëve komunikuese. Po ashtu, duke analizuar kushtet shqiptare, mund të veçohen ndërthurje tipologjish partiake, si: a) Tipi pragmatik (populist), që nënkupton një orientim masiv, më shumë populizëm se lidhje ideologjike; më tepër përqendrim tek suksesi politik sesa tek mbështetja për një ideologji politike. Veçse, niveli më i qartë populist u konstatua fillimisht tek PD-ja, por nuk mbetet prapa, në pikëpamje pragmatike, dhe PS-ja e sotme. b) Tipi ideologjik që sintetizon një varg parimesh ideologjike si në rastin e PPSH-së. (Parime të tilla kanë qenë mjaft evidente e të pranishme në partitë politike shqiptare të viteve të para të tranzicionit, por të kamufluara nuk mungojnë edhe sot). c) Partitë me interesa speciale ku organizimi realizohet rreth një interesi apo çështje të veçantë. E tillë mund të konsiderohet Partia e Gjelbër, apo, deri diku, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), etj. Sidoqoftë, paraqitja e sotme e përqindjes më të madhe të votuesve me kostumin pa parti të konsumatorit, imponon një konceptim të ri më bashkëkohor mbi lirinë dhe disiplinën, një hapje të mëtejshme të partive politike. Kjo duhet kuptuar! Sepse, me gjithë recidivet e pranishme, partitë politike në botën e sotme, gjithnjë e më shumë, po i largohen disiplinës së hekurt, ndërkohë që dhe organizimi i tyre i dikurshëm po bëhet gjithnjë e më i zbehtë, duke iu adoptuar më mirë strukturave zgjedhore. Ato si parti elektorale, po organizohen sipas njësive zgjedhore (qendrore e vendore) në një proces partiak decentralizimi në linja të ngjashme me atë të organizimit të vetë pushtetit vendor. Po aq të domosdoshme janë dhe organizimet kombëtare në kushte emigracioni.
Detyrimi kolektiv dhe reagimi individual
Në binomin liri-disiplinë, një çështje e rëndësishme është ajo e përgjegjësisë kolektive e individuale brenda partisë që ka shumicën parlamentare dhe asaj që luan rolin e fuqisë çelës. Kjo vlen po aq fuqishëm edhe për opozitën! Për më tepër, në shumë raste kjo çështje merr përmasa serioze etike, sidomos me shitblerjet për interesa individuale. Ashtu siç është tërësisht jo etik ai pozicion parlamentar (kolektiv e individual) krejt i kundërt me atë të premtimeve të fushatës dhe votës së kërkuar! Por, nga ana tjetër, është e pakuptimtë të pretendohet që një shumicë parlamentare qeverisëse (ose pjesa çelës e saj) apo qoftë dhe vetëm disa deputetë të tyre tu binden me symbyllur interesave, absurditeteve, udhëzimeve e politikave konkrete të lidershipit partiak. Pse jo, dhe atyre qeveritare, kur këto të fundit nuk u përgjigjen problematikës e interesave qytetare e kombëtare (si në rastin e marrëveshjes për ujërat detare, regjistrimit etnik me vetëdeklarim etj.!). E thënë ndryshe, kartonët duhet të jenë të përgjegjshëm dhe jo të ngritur pa bindje, aq më keq për interesa personale, si përulje e servilizëm ndaj kryetarit të partisë (pozitë e opozitë) apo Kryeministrit. Aq më tepër që deputetët, si të gjithë zyrtarët politikë, si detyrime kushtetuese- ligjore kanë vetëm ato që i shërbejnë interesit publik.Në votimin e një politike (ligji, VKM-je, marrëveshjeje bilaterale e ndërkombëtare etj.) parimi bazë është mbështetja e atij kursi veprimesh, që ka arsye të shumëfishta për tu mbështetur. Në shumë raste, kjo është e vërtetë për vendimmarrjet ose votimet politike, por nuk mohohen rastet që të ndodhë e kundërta. Qoftë ky një votim individual apo kolektiv! Në një kuptim më të veçantë, ka rëndësi që individët e partitë e tyre të mos ndjekin symbyllazi, të mos mbështesin orientime e kushtëzime të pakuptimta të
