Lulzim Basha, kreu ri i Partisë Demokratike
Lulzim Basha zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike. Burime brenda Partisë Demokratike theksojnë se Basha ka fituar më shumë se 80 përqind të votave të anëtarësisë së PD-së ndërsa vetëm 20 % të votave kanë shkuar në favor të kandidatit tjetër Sokol Olldashi.
Paraditen e sotme përfundoi procesi i numërimit të votave për kreun e ri të Partisë Demokratike dhe pritet të bëhet edhe zyrtarizimi i fituesit.
Në zgjedhjet e djeshme për lidershipin e ri të Partisë Demokratike votuan më shumë se 41 mijë anëtarë të kësaj force politike ndërsa procesi i votimit u shoqërua me disa probleme, kryesisht me mungesa në lista të anëtarëve të partisë që mbetën pa votuar.
Ndërsa kryetari i dorëhequr Berisha por edhe kandidati Lulzim Basha folën për një proces historik, kandidati tjetër në garë Sokol Olldashi hodhi hije dyshimi, ndërsa ngriti shqetësimin e listave, fletëve të votimit me numër serie si dhe la të kuptohej se në garë ai nuk kishte patur rival vetëm Bashën.
Që në orët e para të votimit në Partinë Demokratike në shumë qytete u shfaq problemi i listave të anëtarëve, ku ishin të shumtë ata që u ankuan për faktin se nuk gjenin emrin. Një pjesë ishin anëtarë të vjetër që deklaruan se ishin në radhët e kësaj partie që në momentet e themelimit, të tjerë ishin të rinjë që ishin përfshirë edhe një vit më parë.
Pollo uron Bashën për fitoren

Ndërkohë ende pa dalë rezultati zyrtar i zgjedhjeve për kreun e ri të Partisë Demokratike, ministri i inovacionit Genc Pollo ka uruar përmes Facebook andidatin Lulzim Basha për fitoren.
Urime Lul Bashës, kryetar i porsazgjedhur i Partisë Demokratike. Fat të mbarë e sukses të shpejtë ka shkrua Pollo në profilin e tij.