E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha premtoi “Tiranë Evropiane” – qytetarët besojnë në ndryshimin e kryeqytetit

29-07-2011 / Gazeta 55

Lidershipi i ri i kryeqytetit, Lulzim Basha ka nisur konkretizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale. Tashmë, institucioni që dikur qëndronte i hermetizuar ndaj qytetarëve, është i hapur për të gjithë kryeqytetasit. Këtë e tregoi çelja e dyerve të bashkisë nga kryebashkiaku Lulzim Basha, vetëm dy ditë më parë, i cili priti në zyrën e tij qytetarët të cilëve do t’u shërbejë për katër vitet e ardhshme. Basha i garantoi qytetarët se do të jetojnë dhe punojnë në një Tiranë Evropiane. Vlerësime për performancën në ditët e para të zotit Lulzim Basha në postin e kryebashkiakut vijnë edhe nëpërmjet zërit të qytetarëve. Ata shprehen se hapja e dyerve të bashkisë për problemet e qytetarëve është një mënyrë e re komunikimi por vlerësojnë njëkohësisht edhe deklaratat e tij, sipas të cilave bashkia e kryeqytetit do të jetë që tani e tutje në funksion të qytetarëve, larg luftës dhe sherrnajave politike. Por çfarë mendojnë qytetarët për këtë fillim të ri për kryeqytetin. “Basha ka një vizion të qartë për qytetin dhe padyshim që do të ketë ndryshime. Basha ishte ai që udhëhoqi vendin drejt anëtarësimit në NATO si dhe bëri të mundur qytetarët shqiptarë të përfitonin liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Ndryshe nga Rama, nën drejtimin e Bashës kemi besim të plotë se qyteti do të ndryshojë”- thonë qytetarët, ndonëse shtojnë se Basha spikati si një personalitet ndryshe që në fillim të fushatës elektorale kur neutralizoi në mënyrë modeste çdo politizim të saj, duke u fokusuar vetëm te qyteti dhe qytetarët, bashkë me problematikën që shoqëron jetën e përditshme të kryeqytetasve. Motoja se bashkia u përket të gjithëve dhe se do të punojmë për interesat e qytetarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike ka ngjallur shpresën për ndryshim në lagjet dhe rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›