Lulzim Basha takon qytetarët e njësisë nr 10: Zhvillimi i lagjeve, një nga prioritetet e platformës së madhe për qeverisjen e Tiranës

Vend parkimet dhe taksat e larta janë problemet kryesore me të cilat ndeshen bizneset në rrugën e “Durrësit” dhe “Myslym Shyri”. Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka dëgjuar prej banorëve dhe bizneseve në njësinë Bashkiake numër 10 se ndër shqetësimet e tyre janë infrastruktura rrugore e mungesa e lejeve për të rikonstruktuar shtëpitë e tyre të cilat rrezikojnë të shemben.
“Në qoftë se kjo rrugë është arteria kryesore e qytetit të Tiranës është rruga më e degraduar. Ka hequr parkimet, ka ngritur taksat, duke menduar se rruga e Durrësit është rrugë e parë, por e ka lënë të një kategorie të dorës së tretë”, tha një prej pronarëve të dyqaneve në Rrugën e Durrësit. “Do bëj gjithçka, për ta rikthyer në parametrat që ju të funksiononi me xhiron normale”- u shpreh Basha. Biznese të tjera në lagjet e kësaj njësie u ankuan për taksat e larta dhe mungesën e pastrimit e gjelbërimit. “Taksat e reklamës janë shumë të larta, ne paguajmë 1.2 milion lekë vetëm për reklamën. Paguajmë taksën e pastrimit, por të vish në orën 5:30 të mëngjesit pastruesja detyrohem të jem vetë. Do filloj të pastroj rrugën nga cepi në cep për ditë. Njeri për të na pastruar rrugën nuk vjen”, tha një pronare e biznesit të vogël. Në takimet me banorët e rrugës “Myslym Shyri”, u kërkuan vend parkime si dhe mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të lagjeve. Kandidati Basha tha se zhvillimi i lagjeve do të jetë një nga prioritetet e tij, sipas një formule e cila do të respektojë pronën private dhe hapësirat publike. Në bashkëbisedimin me banorët, Basha ka dëgjuar edhe shqetësimin e të moshuarve për mungesën e hapësirave të gjelbra sikundër ka marrë prej tyre mirënjohjen për heqjen e vizave dhe fushatën qytetare që po zhvillon në Tiranë. “Fëmijët i kam një në Strasburg një në Belgjikë dhe mbas shumë viteve ishte shumë e vështirë por faleminderit na dhatë mundësinë që të shihnim fëmijët”, tha një e moshuar. Kandidati për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha ka dëgjuar edhe shqetësimet e të rinjve për mungesën e ambienteve shkollore, sportive dhe argëtuese. Kjo ishte dita e 11 e takimeve të kandidatit për Bashkinë e Tiranës z. Lulzim Basha me banorët e kryeqytetit.