“Duam vendim të këshillit bashkiak të Tiranës, për zonat ku duhet të vendosen simbolet politike”

Policia trajnohet për zgjedhjet e 8 majit 2011. Standardet e Policisë së Shtetit, pranë standardeve evropiane. Apelon kryepolici Hysni Burgaj
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj ka reaguar mbi kërkesën e Bashkisë se Tiranës për heqjen e flamujve nga subjektet elektorale. Interesimit të medias mbi këtë çështje, por edhe atë të plagosjes së djeshme ai iu përgjigj duke kërkuar një vendim të këshillit bashkiak të Tiranës lidhur me zonat se ku duhen të vendosen simbolet politike, ndërsa përjashtoi plagosjen e djeshme të kryeinspektorit Kaja për motive elektorale duke thënë se ende po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
“Janë dy incidente, në Dibër dhe te zona Dajt që kanë pasur lidhje me procesin zgjedhor, edhe këto në mënyrë indirekte sepse kanë qenë konflikte të çastit. Për më të fundit po merremi në mënyrë intensive për ta zbardhur plotësisht dhe shpresoj që së shpejti do të njiheni me të vërtetën e saj. Pushteti vendor, të gjitha bashkitë, duhet të marrin vendime të këshillit dhe të vendosin në cilat zona duhet të lejohen dhe në cilat të mos lejohen. Policia është gjithmonë transparente, e hapur, për të mbështetur çdo vendim të ligjshëm” tha Burgaj.
Reagimi i Drejtorit të Përgjithshëm u bë dje në përfundim të trajnimit të uniformave të policisë, për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011.
Roli dhe detyrat e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor maj 2011 si dhe bashkëpunimi Polici – Media, ishin në qendër të këtij trajnimi të zhvilluar, në ambientet e Qendrës së Formimit Policor, me pjesëmarrjen e specialistëve të marrëdhënieve me publikun dhe përfaqësuesve të medias. Në këtë trajnim ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, Drejtori i Drejtorisë së Sigurisë Publike Ilia Nasi, Shefi i misionit PAMECA III, Cecil Craig, si dhe ekspertë të Zyrës së OSBE-së dhe KQZ-së.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e konsideroi këtë takim si më të rëndësishmin mes takimeve të zhvilluara deri tani në kuadër të procesit zgjedhor maj 2011.
“Gjatë proceseve zgjedhore të viteve të mëparshme, Policia e Shtetit ka treguar se është e hapur dhe transparente me median dhe publikun. Kemi marrë vlerësime shumë pozitive edhe nga ndërkombëtarët, por në radhë të parë nga publiku shqiptar. Unë do t’ju kërkoja dy gjëra; së pari ndjekjen e situatës në kohë reale gjatë këtij procesi zgjedhor, dhe së dyti njoftimin e publikut në kohën më të shkurtër të mundshme për çdo informacion, duke qenë sa më transparentë”, theksoi Burgaj.
Një falënderim të veçantë me këtë rast, Burgaj i ka drejtuar përfaqësuesve të medias, duke i konsideruar si një partner të rëndësishëm në gjithë zhvillimet e organizatës së Policisë për përcjelljen e mesazheve tek publiku në kohën reale më të mirë të mundshme.
Po ashtu Burgaj falënderoi misionet ndërkombëtare të PAMECA III dhe ICITAP për mbështetjen e vazhdueshme me trajnimet e ndryshme për punonjësit e policisë, si dhe në mënyrë të veçantë OSBE-në për materialet e referimit siç ishte edhe botimi i broshurës “Detyrat e punonjësit të policisë në procesin zgjedhor 2011”, e cila do t’i jepet çdo punonjësi policie që do të angazhohet me detyrat zgjedhore.
Ndërkohë Shefi i misionit PAMECA III, Cecil Craig, u shpreh se, “Në lidhje me këtë proces zgjedhor, standardet tuaja duhet të jenë pranë standardeve evropiane”.
Duke u bazuar në konstatimet e tyre gjatë zhvillimeve të ndryshme në vend, Craig i vlerësoi marrëdhëniet e Policisë së Shtetit me median si të shkëlqyera, duke theksuar besimin e tij që Policia e Shtetit do ta shfrytëzojë këtë periudhë zgjedhore për të treguar edhe këtë herë profesionalizmin e saj.
Gjatë këtij trajnimi u diskutua mbi rolin dhe detyrat e policisë gjatë procesit zgjedhor, legjislacionin zgjedhor që ka lidhje me policinë, rolin e KQZ-së, KZAZ-ve, VNV-ve dhe QV-it si dhe procedurat e bashkëpunimit me strukturat e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit publik gjatë procesit zgjedhor, bashkëpunimin me mediat, etj.