E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha u jep fund pushimeve, nuk doli asnjë ditë në fushatë por rikthehet me të rinjtë për të marrë drejtimin e PD! Çfarë do të bëjë Tabaku?

Lulzim Basha u jep fund pushimeve, nuk doli asnjë ditë në

Zërat se Lulzim Basha duhet të marrë përsëri drejtimin e Partisë Demokratike sa vijnë dhe shtohen në radhët e deputetëve demokratë që kanë mbështetur qëndrimet e tij, ndërsa vetë ish-kryedemokrati duket se ka nisur lëvizjet për të arritur këtë qëllim.

Një javë pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeaj si kryetar i komanduar i PD dhe pak orë pas mbledhjes së parë që ka zhvilluar sot Gazment Bardhi si kryetar i ri i Grupit Parlamentar, Lulzim Basha do të zhvillojë një takim me të rinjtë e Forumit Rinor.

Nuk dihet sesi do t'ju prezantohet ai të rinjve demokratë, kur prej muajsh ka "braktisur" strukturat e partisë që drejtoi për gati 9 vite. Madje, ish-kryedemokrati nuk u angazhua në asnjë ditë të vetme në fushatën e PD për zgjedhjet e 14 Majit, as me kandidatin për Tiranën.

Lulzim Basha ka munguar dhe me daljet në media gjatë kësaj periudhe të rëndësishme për opozitën, por tashmë që Alibeaj është dorëhequr dhe partia "zien" nga zërat për një drejtim të ri, ish-kryedemokrati u ka dhënë fund pushimeve dhe pritet të nisë takimet.

I pari do të jetë pasditen e sotme, në orën 17.00, me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Me ata që kanë mbetur, më saktë, pasi edhe të rinjtë janë ndarë në dy grupe ashtu si deputetët.

Jorida Tabaku është projektuar si drejtuesja e ardhshme e Partisë Demokratike, por prej një jave ajo nuk ka një përgjigje. Si e vetmja nënkryetare në detyrë asaj i takon të jetë kryetare e komanduar e partisë, por në daljen e parë për mediat sot, ajo foli për më tepër kohë.

Nuk dihet nëse mungesa e një vendimi prej saj ka lidhje me veprimet që ka nisur të ndërmarrë Lulzim Basha, por ajo që mund të thuhet me siguri është se Jorida Tabaku bën pjesë në grupin e personave që kanë mbështetur qëndrimet e ish-kryedemokratit.

Edhe përse pa asnjë kontribut në parti që prej largimit, pas 9 vitesh betejash të humbura, Lulzim Basha duket se vjen me një qëllim të qartë në këtë rikthim. Ai pritet të sulmojë ashpër frontin berishistë me në krye ish-kryeministrin, për të rimarrë selinë që gjykata ia ka njohur. Mbetet për t'u parë se çfarë lëvizjesh do të zhvillohen paralelisht me grupimin e Sali Berishës, nëse ky i fundit do të influencojë që drejtimin e PD-së zyrtare ta marrë Tabaku.

Me interes pritet vendimi i saj, pasi ajo është një figurë politike që nuk është akuzuar ndonjëherë nga Sali Berisha dhe grupimi i tij, dhe vendimi që ajo do të marrë për lidershipin e Partisë Demokratike është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e kësaj force politike.

Po ashtu, interesante priten të jenë dhe qëndrimet e deputetëve demokratë me në krye Gazment Bardhin në Grup Parlamentar, pasi disa prej tyre janë shprehur hapur kundër rikthimit të Lulzim Bashës. Sipas tyre, ai është në të drejtën e tij t'ju bashkohet si deputet, por jo të kërkojë drejtimin e partisë.

Sondazh

A e mbështesni protestën siç është zhvilluar dy ditët e fundit nën emrin e studentëve?

  •                                                                         Po
    
    •                                                                     Jo
      
      •                                                                 Nuk e di
        

Lexo gjithashtu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›