Lunacek: Më tepër angazhim nga Kosova për integrimin drejt BE

Grupi i Grave Deputete i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Teuta Sahatqija, u takua sot me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek. Me këtë rast, eurodeputetja foli për angazhimin e saj në PE për miratimin e rezolutës me të cilën kërkohet që aplikimi i fusnotës të vlejë vetëm për takimet rajonale, e jo për takime tjera ndërkombëtare.
Lunacek foli edhe për rëndësinë e reformës zgjedhore në Kosovë, duke shprehur shqetësimin se ky proces po shkon ngadalë.
Teuta Sahatqija e njoftoi eurodeputeten për angazhimin e GGD-së, për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të besueshme, sidomos për listat zgjedhore dhe evidentimin elektronik të votuesve, për zonat zgjedhore, kuotën gjinore etj.
Deputetja Alma Lama tha se duhet të aplikohet një zonë zgjedhore dhe listat e hapura. Gratë e njoftuan eurodeputeten edhe për punën që bëhet në integrimin e komuniteteve në jetën shoqërore dhe institucionale në Kosovë.
Bashkëbisedueset ishin unike në konstatimin se Kosova duhet të angazhohet shumë më tepër për t`i kryer detyrat që kanë të bëjnë me përshpejtimin e procesit të integrimit të Kosovës në BE, thuhet në kumtesën e Zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit të Kosovës.