E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja do patjetër 3 pikët, asnjë nënvlerësim Vlorës

Nga Julian Kasapi

Verdhejeshilët i kanë marrë dy leksione nga skuadrat e lehta

gjatë fazës së parë dhe është e pafalshme të gabojnë përsëri

Lushnjarët po u japin dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e nesërme me Vlorën, që do ta luajnë në stadiumin Roza Haxhiu. Preludi i të gjitha deklaratave, pas një kohe të gjatë në dispozicion për këtë ndeshje të radhës, është fitorja e padiskutueshme. Të gjithë futbollistët janë të përqendruar për këtë 90-minutësh, ku pritet të shprehin vlerat e tyre më të mira, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme.

Nuk e shikojmë si ndeshje të lehtë këtë me Vlorën, por duhet ta fitojmë patjetër dhe besojmë te fitorja, madje edhe me shifra bindëse, – thonë pa shumë pompozitet futbollistët lushnjarë. Në fakt, euforia ka qenë tradicionalisht një faktor determinant në skuadrën myzeqare.

Gjatë fazës së parë, ndeshjet e lehta kanë shaktuar tërmete te Lushnja, madje në njërën prej tyre u desh të dorëhiqej ish-trajneri Baballëku, i cili e nisi sezonin për të bërë ndryshime. Dhe ndryshimet erdhën me trajnerin e ri Malko, që diti ta motivonte grupin e futbollistëve për çdo ndeshje. Një hap i gabuar mund të quhet barazimi me Mamurrasin, sepse Lushnja duhej të kishte marrë 3 pikët.

Për stafin teknik, pozitiv është fakti që janë rikthyer mbrojtësit Sulo dhe Ruço, por edhe Gjoni në mesfushë është një riaftësim i rëndësishëm. Natyrisht që të skualifikuarit Byzhyti edhe Topi janë një problem, por që një skuadër si Lushnja i ka mundësitë ta zgjidhë me kontigjentin e saj.

Gjatë miqësores me Vllaznimin u provuan nga stafi teknik edhe futbollistë të rinj në mesfushë, për të organizuar lojën dhe për ta shkatërruar atë të kundërshtarit. Çdo gjë është e lehtë në dukje, sepse kundërshtari nuk ka nivelin e lushnjarëve. Por këta të fundit duhet të jenë të kudesshëm për të marrë fitoren e parë të vitit 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›