E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaraj: Gramshi, i aftë të triumfojë në derbi

Nga Artan Paja

Trajneri i Gramshit, Edmond Mustafaraj, forcon bindjen se skuadra e tij është në gjendje të marrë 3 pikët e radhës ndaj Elbasanit, ndonëse këtë ndeshje e konsideron të vështirë. Sipas trajnerit të gramshiotëve, skuadra do të dhurojë spektakël për të pranishmit dhe do ta surprizojë kundërshtarin në derbi, duke e bërë që të dorëzohet pa kushte.

Gjatë seancave të ditëve të fundit, stafi teknik ka vlerësuar formën e grupit të futbollistëve, ndërkohë që edhe gjendja e fushës është përmirësuar ndjeshëm. Në ndeshjen e kontrollit në mesjavë, trajneri Mustafaraj tentoi një skemë të re, me të cilën Gramshi pritët të luajë nesër me Elbasanin.

”Më pëlqen optimizmi që ka përfshirë gjithë grupin e futbollistëve, pasi kjo tregon se derbi është tejet i vlerësuar nga ne. Gjiithçka ndodh dhe vjen edhe si rezultat i reklamimit që shumë futbollistë duan të bëjnë gjatë kësaj ndeshjeje. Dua ti siguroj gjithë sportdashësit gramshiotë, por edhe drejtuesit më të lartë të klubit, se skuadra është e aftë ta ndalë Elbasanin me lojë dhe rezultat.

Gramshi është në pozita të qëndrueshme në këtë fillim të fazës së dytë, ndaj për këtë është kërkuar të bindë në mënyrë profesionale në derbi. Shpresoj që skuadrat të zhvillojnë një lojë sa më korrekte,- u shpreh për Sportin shqiptar trajneri i Gramshit, Edmond Mustafaraj. Nga ana tjetër, bashkia ka vënë në dispozicion shpërblimin e radhës për skuadrën në rast fitoreje.

Po ashtu, ka interes që ndeshja të monitorohet e gjitha. Sipas kreut të bashkisë, Dritani Bici, kjo ndeshje mbart vlera reale për opinionin futbolldashës të Gramshit, ndaj dhe kasetat filmike të derbit do të ruhen me kujdes në arkivin e qytetit për tua trashëguar brezave të rinj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›