Mihani i bindur: Besa nis serinë e fitoreve me Adën
Mesfushori kavajas, Meglid Mihani, beson se skuadra do ta nisë mbarë fazën e dytë dhe më pas do të njohë vetëm suksese
Faza e dytë nis nesër për Besën, që pret Adën në Kavajë, ndërkohë që data e ndeshjes së shtyrë me Gramozin nuk është mësuar ende. Skuadra kavajase, me në krye trajnerin Gugash Magani, ka punuar me shumë seriozitet për fazën e dytë dhe me më shumë besim për ngjitjen në superligë, pasi grupi i futbollistëve është forcuar ndjeshëm me elementë vërtet cilësorë. Në këto kushte, tifozëria kavajase pret shpërthimin e Besës që në ndeshjen e nesërme me Adën.
Mihani Ai që garanton për suksesin e Besës është mesfushori Meglid Mihani, i cili pohon se në ndeshjen me Adën do të nisë seria e fitoreve: Nuk ka asnjë dyshim për fitoren me Adën, që e vlerësojmë për vlerat që ka. Kemi dy muaj që po stërvitemi intensivisht dhe besoj se gjithë puna jonë do të duket në këtë ndeshje domethënëse.
Besa mban vendin e 5-të aktualisht dhe kuptohet që nuk është ky objektivi ynë. Falë edhe merkatos që kanë bërë drejtuesit tanë në janar, kam mendimin se do tia dalim për tu ngjitur direkt në superligë, pra them se do të arrijmë në vend të dytë në fund të kampionatit. Me Adën na duhet patjetër fitorja, pasi dihet që nisja e mbarë e shton besimin për më tej.
Do ti marrim ndeshjet një e nga një, duke vlerësuar maksimalisht çdo kundërshtar. Nuk ka kohë për gabime, sepse pikët e lëna nuk mund ti rekuperojmë lehtë. Le të bëjmë detyrën të shtunën, duke marrë një fitore bindëse para tifozëve kavajas.
Besa ka stofin e një skuadre superlige dhe këtë faktor të rëndësishëm duhet ta shfrytëzojmë në maksimum, ka theksuar futbollisti kavajas, i cili ka kaluar një periudhë me dëmtime dhe nuk ka mundur ti shërbejë sa duhet skuadrës. Ndeshja e nesërme është vlerësuar nga të gjithë në kampin verdhezi, pasi 3 pikët janë alternativa e vetme. Tifozët do të shohin nesër Besën edhe në ndeshjen e parë zyrtare.
