E Diel, 1 Nëntor 2026

"Lushnjë, Genc Kashari u vra me bukë në gojë"



Armand Bajrami

Trupa e gjyqtarëve që shqyrton dosjen e Aldo Bares, të akuzuarit si "kreu" i "bandës së Lushnjës" tek Krimet e Rënda, doli dje nga "ngërçi" ku ishte përfshirë prej disa javësh. Me fillimin e seancës, kryesuesja Fatmira Hajdari relatoi për palët se vendi i mbetur bosh në trupë, pas largimit të gjyqtarit Artan Broci, që u dekretua në Gjykatën e Apelit, do të zëvendësohej nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa. Sipas gjyqtares Hajdari, emri i gjyqtarit Mustafa ishte vendosur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë më 15 qershor të vitit 2010. Gjyqtari i ri në trupë nuk u kundërshtua nga prokuroria, ndërsa pala mbrojtëse shprehu rezerva. "Nuk dimë nëse është zgjedhur me short, apo jo gjyqtari", tha mbrojtësi i Bares, avokati Vladimir Meçi. Gjyqtari Mustafa i pohoi gjykatës se ishte njohur me dosjen dhe se gjykimi të vazhdonte aty ku ishte lënë. Sërish reagoi avokati Meçi, duke i pohuar gjykatës se "Gjyqtari u legjitimua tani. Si është njohur me aktet e dosjes, të cilat janë sekrete?". Ndryshe nga seanca e kaluar e procesit, që u ndërpre për shkak të konfliktit të interesit të gjyqtares Ardiana Beraj, e caktuar nga KLD-ja, gjykata vijoi dje gjykimin me pyetjen e dëshmitarit Rifan Musaku. Dëshmitari rrëfeu mbi ngjarjen e korrikut 1997 në Lushnjë, ku në një shkëmbim zjarri u vranë tre persona: Genci Kashari, Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, vëllai i të pandehurit Aldo Bare. Sipas dëshmitarit, nga viktimat ai njihte vetëm Genci Kasharin. Gjithashtu, Beraj pohoi se pak minuta pas ngjarjes kishte parë Artur Dajën me një armë kallashnikov në dorë.
DESHMITARI
Rifan Musaku rrëfeu dje si e kishte gjetur Genci Kasharin, djalin e hallës së tij, të vrarë me bukë në gojë. Dëshmitari tha se kishte shkuar në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi kishin mbaruar krismat e armëve. "E kam pas njohur Genci Kasharin. E kisha të afërm. Ai nuk jeton më tashmë. Ka qenë kohë dreke, kur unë po kthehesha nga puna. Afër shtëpisë është lokali i Artur Dajës. Në një nga tavolinat para lokalit ishin ulur Artur Daja, Genci Kashari, Gramoz Selmani dhe Lorenc Daja. Lorenci kishte edhe një fëmijë të vogël në krah. I thirra Gencit. Kur u afrua i thashë: çdo këtu. Ai më tha që ata vetëm po rrinin dhe po hanin. Tek një tavolinë në lokalin ngjitur, më ftoi një i njohuri im në tavolinë. U ula. Piva diçka dhe ika në shtëpi. Pas 10-15 minutash dëgjova krisma armësh. Pas pak erdhi një fëmijë te shtëpia dhe më tha: Hajde se të do Turi (Artur Daja) se u vra Genci (Genci Kashari). Shkova atje. Pashë Gencin të vdekur. Ishte vrarë me bukë në gojë. Erdhi aty edhe babai im. E dërgova atë të merrte një makinë. Ndërkohë rreth 50 metra larg lokalit pashë një makinë ngjyrë gri. Si "Volvo" m'u duk. U afrova aty dhe pashë që shoferi ishte vrarë. Gjysma e trupit i qëndronte brenda makinës dhe gjysma jashtë. Në atë kohë erdhi babai im me makinën e një të afërmi tonë. Morëm trupin e pajetë të Gencit dhe e çuam në shtëpi. Unë Gencin e gjeta të vrarë, të rrëzuar nga karrigia, ku kishte qenë ulur", iu përgjigj dëshmitari pyetjeve të prokurorëve në proces. Sipas dëshmitarit, në vendin e ngjarjes ai kishte parë persona të armatosur. "Kur shkova në fillim te vendngjarja, aty ishte shumë rrëmujë. Ishte Artur Daja me një kallash në dorë. Ishte dhe Gramoz Selami, po me armë në dorë", tha dëshmitari. Në përgjigje të pyetjeve të të pandehurit Bare, nga kafazi i sallës së gjyqit dëshmitari tha se Artur Daja nuk ishte nevrikosur kur ai kishte ngritur nga tavolina kushëririn e tij, Genci Kasharin. Tek automjeti gri, dëshmitari kishte shkuar pasi i ishte kërkuar nga Artur Daja. "Të shkoja tek makina gri më tha Tur Daja. Ishin dy të vrarë atje, shoferi dhe një person tjetër te sedilja mbrapa. Nuk e mbaj mend se me ç'rroba ishin veshur. Isha shumë i tronditur në ato momente", tha dëshmitari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›