Dy të mitur 11 dhe 8 vjeç, viktima të maniakëve pedofilë
ELBASA/BERAT - Dy fëmijë, një vajzë 11 vjeçe në Belsh të Elbasanit dhe një djalë 8 vjeç në Berat janë bërë viktima të maniakëve pedofilë. Fatmirësisht, asnjëri prej të miturve nuk është dhunuar seksualisht, por sipas policisë, ndaj tyre janë kryer veprime të turpshme e deri në kërcënime me thikë. Ngjarja në Belsh ndodhi mbrëmjen e së martës, kur 30-vjeçari Hekur Kapinova, tentoi të kryente marrëdhënie me vajzën e mitur me iniciale Sh.C. Mësohet se i riu, i dënuar më parë për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitur dhe vjedhje, ka trokitur në banesën e minorenes duke iu kërkuar ndihmë familjarëve të saj për të kaluar natën në shtëpinë e tyre. Ata e kanë futur brenda 30-vjeçarin, duke menduar se ai ishte jabanxhi dhe se kishte nevojë për një strehë gjatë natës, aq më tepër që jashtë reshjet e shiut ishin të shumta. Kur të zotët e shtëpisë i ka zënë gjumi, Kapinova ka shkuar në kuzhinë duke marrë prej andej një thikë dhe më pas është futur në dhomën ku flinte e vetme 11-vjeçarja. Aty ai ka nisur ta ngacmojë të miturën me fjalë provokuese. Gjatë gjithë natës maniaku nuk ka mundur dot ta bindë vajzën, ndonëse i ka bërë asaj presion edhe me thikë. Më pas ai është tërhequr duke shkuar tek vendi ku të zotët e shtëpisë i kishin shtruar për të fjetur. Në mëngjes, e mitura iu ka rrëfyer prindërve gjithë aventurën e frikshme të një nate më parë me "mysafirin". Kur ai ka dëgjuar nga dhoma tjetër rrëfimin e vajzës, është hedhur nga dritarja e dhomës duke u zhdukur. Ata sinjalizuan policinë, e cila pasi fiksoi gjurmët e tij në vendin e ngjarjes nuk e pati të vështirë të kryejë identifikimin e autorit me precedentë të mëparshëm. Disa orë më pas, blutë arrestuan 30-vjeçarin duke e akuzuar atë për marrëdhënie seksuale me të mitura e mbetur në tentativë. Ndërkohë, në Berat policia vuri në pranga 24-vjeçarin Hedison Hoxhallari, banues në lagjen "Uznovë" të këtij qyteti. Sipas policisë, i riu ka shkuar në afërsi të shkollës "Rafael Elmazi", duke vështruar një grup fëmijësh që luanin me njëri-tjetrin. Aty ai ka mundur të marrë me vete duke e mashtruar me një shishe birrë, 8-vjeçarin E.V. Pasi e çoi pas godinës së shkollës, i riu nisi të kryejë veprime të turpshme me fëmijën. Ai i ka dhënë të miturit pije me përbërje alkoolike, si dhe një cigare, përbërja e së cilës mbetet e dyshimtë. Pasi ka mundur të trullosë fëmijën, 24-vjeçari i ka agravuar veprimet duke tentuar ta përdhunojë atë. Por, fatmirësisht, 8-vjeçari ka mundur të thërrasë për ndihmë. Disa banorë janë afruar pasi dëgjuan klithmat e fëmijës. Autori i ngjarjes u largua sapo ndjeu prezencën e të tjerëve, por ai u arrestua nga policia e Beratit vetëm një orë më pas. a.k/ d.xh