KSHH: Të shqetësuar nga gjoba ndaj TCH
Komiteti Shqiptar i Helsinkit është shprehur dje me shqetësim ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës, për gjobën 400 mijë euro ndaj Top-Channel, duke theksuar se me këtë vendim është ndëshkuar gazetaria. "KSHH, pa dashur të bëjë vlerësimin e vendimit gjyqësor, të cilin mund ta shqyrtojnë vetëm gjykatat më të larta, thekson se investigimi mediatik, në rastin konkret, u krye ndaj një ish-ministri, funksionar i lartë i shtetit, i cili duke pranuar të ushtrojë këtë funksion, ka pranuar, njëkohësisht, që veprimtaria e tij të jetë nën vëzhgimin e publikut të gjerë, si dhe të vlerësimit ose kritikës së shtypit të lirë". KSHH shprehet se është e vërtetë se e drejta e privatësisë është e garantuar, si nga Kushtetuta jonë dhe KEDNJ, por siç dihet, ajo nuk mund të jetë absolute. Sipas KSHH, në rrethana dhe kushte të caktuara, sidomos kur është çështja e sjelljeve dhe qëndrimeve të funksionarëve të lartë të shtetit, përparësi merr e drejta e publikut për informim, si dhe ushtrimi i së drejtës së privatësisë, në asnjë rast nuk duhet të bjerë ndesh me interesin e publikut të gjerë. Ndërkohë dje, Gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës reaguan në lidhje me trajtimin mediatik që po i bëhet vendimit të kësaj gjykate të datës 18 qershor, për gjobitjen televizionit "Top-Channel" me 400 mijë euro, për shkak të publikimit të "skandalit seksual" të ish-ministrit Ylli Pango. Me deklaratën e firmosur nga pjesa me e madhe e gjyqtarëve të kësaj gjykatë, ata kërkuan "ndërprerjen e veprimeve denigruese dhe fyese ndaj këtij institucioni". "Pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor, televizioni 'Top-Channel' sha ka ndërmarrë një fushatë mediatike sistematike, për denigrimin dhe fyerjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke cënuar rëndë kryerjen e detyrave të gjyqtarëve, veprimtarinë e këtij institucioni, si dhe pavarësinë dhe paanësinë e pushtetit gjyqësor", thuhej në deklaratë. Po sipas deklaratës së firmosur nga gjyqtarët thuhej se "Gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i kërkojnë 'Top-channel'-it që të ndërpresë menjëherë veprimet denigruese dhe fyese ndaj këtij institucioni dhe ta lejojë atë që të përmbushë misionin e tij kushtetues për dhënien e drejtësisë". Sipas togave të zeza, në rastin në fjalë televizioni "Top-channel" është një person juridik që ka humbur në një proces gjyqësor. "Drejtësia në Republikën e Shqipërisë nuk bëhet nga palët në proces, por nga organet e ngarkuara me ligj për dhënien e drejtësisë, që janë gjykatat.
Gjoba në Apel
Menjëherë pasi Gjykata e Tiranës shpalli vendimin e saj me anë të kryesuesit të trupit gjykues, televizioni Top Channel, duke u shprehur se Agim Bendo nuk përfaqëson drejtësinë shqiptare, ka pohuar se do të apelojë vendimin në kërkim të vendosjes së drejtësisë lidhur me këtë çështje.