E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, minoriteti serb: Mësim në gjuhën tonë



SHKODER - Minoriteti serb në Shqipëri kërkon toponime në këtë gjuhë në të gjithë territorin shqiptar ku jetojnë anëtarët e tij. Veç emrave e tabelave orientuese, kërkohet mësimi në gjuhën serbe dhe respektimi të drejtave të pakicës serbe nga Qeveria shqiptare. Këto kërkesa janë bërë nga ana e kreut të shoqatës serbo-malazeze "Moraça-Rozafa", Pavllo Jako, gjatë takimit me zv.ministrin e Jashtëm të Serbisë, Zdravko Ponosh, zhvilluar në Shkodër. "Ju vini, hyni në Shkodër dhe nuk shihni asnjë tabelë udhëzuese për vendbanimet që të jetë e shkruar në gjuhën serbe. Mund të ketë në gjuhën malazeze, angleze apo në gjuhë të tjera, por ne kërkojmë në serbisht". Jako është shprehur në mënyrë kritike, duke thënë se në Shqipëri nuk janë të kënaqur për sa i përket shkallës së respektimit të këtyre të drejtave. "Shqipëria nuk e ka të ratifikuar konventën rajonale të gjuhëve të popujve pakicës, kurse në Serbi ju e keni të ratifikuar një gjë të tillë. Kjo është pengesë për ne, që të ndërmarrim iniciativën e mësimit të gjuhës serbe si dhe të kërkojmë që edhe emrat e vendbanimeve dhe toponimet të jenë edhe në gjuhën serbe, sidomos në zonën e Shkodrës", ka pohuar Jako. Ndonëse nuk ka shifra të komunitetit serbe, Jako përmendi se vetëm në Fier jetojnë 2 mijë vetë, ku dhe po zbatohet një projekt për mësimin e serbishtes. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›