Lushnjë, Rama: Shteti ka dalë nga binarët
Krerë të partive të majta e të djathta kanë protestuar dje në Lushnjë për hapjen e kutive të votimit
"Të përndjekurit tallen nga pushteti ilegjitim i këtij ish-sekretari të zellshëm të partisë së Enver Hoxhës që ka internuar njerëz të pafajshëm"
TIRANË - Opozita ka përmbyllur dje në Lushnjë etapën e katërt të lëvizjes së saj në kërkim të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Krerët më të lartë të partive të majta, por edhe të forcave të tjera, që kanë dalë në opozitë me qeverisjen e djathtë, të përkrahur edhe nga mijëra qytetarë të Lushnjës që kishin dalë në shesh, kanë vijuar protestën e tyre ndaj kokëfortësisë dhe refuzimit të mazhorancës së djathtë për të hapur kutitë e votimit të përdorura në zgjedhjet e shkuara parlamentare.
Megjithatë, në ndryshim nga tubimet e mëparshme në Tiranë apo Berat, në atë të djeshmin kanë rënë në sy mungesat në radhët e liderëve të së majtës, ku kanë munguar kreu i PDS-së Paskal Milo, ai i G99 Erion Veliaj (Veliaj ndodhet në një vizitë në SHBA), apo edhe ai i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Por kjo s'ka penguar pjesëmarrësit në këtë takim që të kërkojnë të shohin votën e tyre të hedhur më 28 qershor dhe të akuzojnë qeverinë për mungesë transparence dhe manipulatorë të verdiktit të popullit.
Rama
"Shteti i shqiptarëve ka dalë nga binarët e Kushtetutës e të ligjit dhe është vënë në shërbim të familjes në pushtet, duke shpërfillur e shkelur brutalisht liritë dhe të drejtat kushtetuese kudo ku pushteti i familjes ka interesa ekonomike, abuzive, korruptive", - kështu e ka nisur kreu socialist, Edi Rama, fjalën e tij drejtuar qytetarëve lushnjarë që i ishin përgjigjur thirrjes për të protestuar ndaj pushtetit të dalë nga zgjedhjet e qershorit.
Sipas shefit të selisë rozë, një tren i pafund abuzimesh e grabitjesh, shkeljesh të ligjit e të së drejtës, është lëshuar turr mbi Shqipërinë, mbi qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, mbi hapësirën e tyre të lirisë së mendimit e të veprimit, mbi pronat e pasuritë e njerëzve, nga pushteti ilegjitim i qeveritarëve të djathtë.
Pikërisht, kryerja e këtij turi abuzimesh ka qenë për kreun socialist, Edi Rama, qëllimi i Berishës për të mbajtur me çdo mënyrë pushtetin, duke grabitur edhe votat e shqiptarëve. "Sali Berisha i grabiti zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë e shqiptarët.
Pushteti i familjes Berisha dhe i sojit e sorrollopit të tij është shtrirë si një rrjetë merimange në çdo sektor të jetës së vendit", - tha Rama, duke iu referuar rasteve të fundit të përballjes së shtetit me revoltën e qytetarëve, siç ishte ngjarja e Orikumit ku pronarët e tokave u përplasën me policinë e shtetit, e cila mbronte ndërtimin e disa pallateve, ku është përfshirë edhe shoku i ngushtë i djalit të kryeministrit. Por, sipas tij, rasti rrënqethës i Orikumit është vetëm një fije e rrjetës së merimangës, që po gllabëron prona publike e private në Shqipëri.
"Sali Berisha nuk do që ato kuti të hapen, sepse hapja e kutive të 28 qershorit është çlirimi i zgjedhjeve në Shqipëri nga zgjedha e pushtetit të radhës, është çlirimi i shqiptarëve nga zgjedha e pushtetit të grabitur, është çlirimi i qytetarëve të këtij vendi nga zgjedha e injorancës, harbutllëkut dhe korrupsionit që mishëron politika e vjetër e pushtetit familjar dhe klanor të Sali Berishës.
Hapja e kutive është çlirimi nga vetë Sali Berisha",- tha më tej kryesocialisti. Edhe në këtë takim, Rama ka ripërsëritur se mospranimi për t'i hapur kutitë e votimit dhe për t'i dhënë popullit sovran të drejtën e transparencës për zgjedhjen që ka bërë në 28 qershor, është prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta.
Prandaj ka theksuar ai, përderisa qeveria përpiqet të ndalojë transparencën, opozita ka të drejtën legjitime të kërkojë që të hapen kutitë si mënyra e vetme për t'u kthyer institucioneve shtetërore legjitimitetin e duhur dhe për të zgjidhur krizën politike në të cilën është futur vendi.
Pikërisht, në funksion të këtij qëllimi, ai ka ftuar qytetarët lushnjarë, pa dallime partiake, që nga mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, të përndjekurit, biznesmenët e të papunët, që ndjejnë barrën e pushtetit, t'i bashkohen protestës së 20 nëntorit, që do të zhvillohet në Tiranë.
"Të gjithë të përndjekurit tallen prej 20 vjetësh nga pushtetet e radhës, po mbi të gjitha nga pushteti ilegjitim i këtij ish-sekretari të zellshëm të partisë së Enver Hoxhës që ka internuar njerëz të pafajshëm",- u shpreh Rama.
Aleatët
Në tubimin e Lushnjës kanë përshëndetur edhe drejtues të tjerë të partive që i janë bashkuar kësaj çështjeje, si kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi dhe ai i PliDr, Spartak Ngjela, të cilët gjithashtu janë shprehur të bindur se në kutitë e 28 qershorit fshihet një krim i madh elektoral.
Sipas kreut socialdemokrat, e vërteta nuk mund të mbahet me forcë në kuti, ndaj mbështetja e qytetarëve do ta detyrojë qeverinë që të pranojë pa kushte të hapë kutitë e votimit.
"Gjykatat nuk mund të pengojnë popullin për të lexuar votën e lirë. E vërteta e 28 qershorit do të dalë. Atë s'e mbulojnë dot as disa mandate të LSI-së që mezi pritën të shkojnë në krahët e Sali Berishës, as ndonjë tjetër që pret të hidhet në krahët e Jozefinës",- u shpreh Gjinushi.
Ndërsa avokati Spartak Ngjela, i cili i është bashkuar kësaj kauze, ka theksuar se kjo lëvizje është për të shpallur marrëveshjen për ligjin, si garancia e vetme e shtetit të së drejtës. Kreu i asamblesë socialiste, Gramoz Ruçi, duke e marrë fjalën në këtë protestë, i ka bërë të ditur kreut të qeverisë se qytetarët opozitarë do të luftojnë deri në fund për të hapur kutitë e votimit, si mënyra e vetme për t'i dhënë fund proceseve të manipuluara elektorale.
Koalicioni PD - LSI shkarkon drejtuesit e Këshillit Bashkiak, përfaqësues të PS - së
Lushnjë, PD merr drejtimin e Këshillit Bashkiak
TIRANË - Debate të ashpra kanë shoqëruar dje mbledhjen e Këshillit Bashkiak të qytetit të Lushnjës. Ndërsa socialistët po përgatiteshin për zhvillimin e protestës, Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, ka shkarkuar kryetaren e saj, përfaqësuesen e PS-së, Valentina Hoxha, e cila qëndronte në këtë detyrë, që prej vitit 2007. Me votat e koalicionit PD - LSI, kryetar i këtij Këshilli u zgjodh përfaqësuesi i PD - së, Gazmend Koreshi.
Ish -Kryetarja e këtij këshilli, Vasilika Hoxha dhe nënkryetari i saj, Vladimir Hajdari, u shkarkuan dje përmes një mocioni mosbesimi me votat e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të LSI -së dhe PD -së. "Kthimi i këshillit në interesa të ngushta familjare dhe personale", ishte edhe motivi i mocionit të përpiluar dje që solli edhe shkarkimin e drejtuesve.
Ndërkohë, si Vasilika Hoxha ashtu edhe Vladimir Hajdari e kanë kundërshtuar me forcë këtë akuzë, duke shtuar se veprimtaria e tyre ka qenë vetëm në emër të ligjit dhe drejtësisë. "Kjo është gjëja më absurde që kam dëgjuar...
Ne kemi bërë atë që e kemi kontrolluar të gjithë dhe që të gjithë kemi vendosur së bashku që të shohim interesat e komunitetit. Ky nuk është justifikimi i duhur. Ky është një turp"- tha Hoxha. Pavarësisht qëndrimit, gjithçka ishte paracaktuar tashmë.
Me votim të fshehtë u zgjodh dje rreth mesditës, kryetar i ri i Këshillit Bashkiak, Gazmend Koreshi (PD) dhe nënkryetarja nga LSI-ja, Bahrie Dyrmishi. Vendimi u mor me 22 vota pro dhe 12 vota kundër.