Lushnje, makina përplaset me murin, plagosen 4 persona
Një aksident automobilistik me pasojë katër të plagosur ka ndodhur dje në aksin rrugor Lushnje-Berat në hyrje të fshatit Karbunarë. Burimet zyrtare të policisë së Lushnjës pohuan se në automjetin tip "Peugeot" me targa italiane udhëtonin katër persona ku dy prej tyre janë aksidentuar rëndë e ndërsa dy të tjerët kanë marrë plagë më të lehta. Çifti Çlirim dhe Luljeta Saliu janë dërguar urgjentisht në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore, pasi plagët e marra ishin tepër të rënda dhe i rrezikonin seriozisht jetën.
Mësohet se ka qenë ora 14:10 e mesditës së djeshme, kur automjeti tip "peugeot" me targa italiane po udhëtonte nga Lushnja për në Berat. Çlirim Saliu, 54 vjeç, drejtonte automjetin e ndërsa tre shtetasit e tjerë ishin pasagjerë. Në të ndodhej gruaja e tij Luljeta, 51 vjeçe dhe dy të afërmet e tij Zeqine Blliku, 55 vjeçe dhe Entela Stergu, 32 vjeçe. Burimet zyrtare të policisë pohuan se drejtuesi i automjetit ka qenë duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara të qarkullimit rrugor. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se automjeti ka dalë nga kontrolli dhe pasi është përplasur me një mur rrethues me blloqe betoni të një banese anës rrugës ka përfunduar në oborrin e shtëpisë. Nga përplasja e fortë drejtuesi i automjetit dhe gruaja e tij që ndodheshin në vend të parë kanë pësuar dëmtime në kokë, ndërsa dy pasagjerët e tjerë kanë pësuar dëmtime më të lehta dhe janë shoqëruar për të marrë ndihmën e parë në spitalin e qytetit të Lushnjes.