E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për pronën në Mallakastër, qëllohet për vdekje 60 vjeçari

Policia ndalon autorin e krimit
Një 60 vjeçar ka mbetur i vdekur pasi është qëlluar me armë zjarri nga një bashkëfshatar i tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të pasdites së djeshme, kur Aliko Malaj ka debatuar me 36 vjeçarin Përparim Merkaj, ndërsa ky i fundit në gjaknxehtësi e sipër ka qëlluar me armë zjarri mbi të duke e lënë në vend të vdekur. Mësohet se të dy shtetasit janë nga fshati i thellë i Poçemit të Mallakastrës dhe se prej vitesh jetonin aty. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se Malaj dhe Merkaj kanë qenë në qendër të fshatit kur janë ndodhur në këtë debat, i cili ka qenë fatal për më të moshuarin. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar përveçse motiveve të dobëta, por ajo çka bëhet e ditur nga vendi i ngjarjes është se debatet e ashpra kanë nisur me fjalë të lehta derisa Alikos i është prekur sedra. Banorë të zonës, të cilët kanë qenë në sheshin e fshatit, në momentin kur ka startuar e gjithë kjo histori kanë treguar se dy shtetasit kanë filluar të debatojnë për ngritjen e një godine, që 60 vjeçari kishte filluar të ndërtonte, e ndërsa një gjë e tillë ka rënduar mbi 36 vjeçarin, që pretendonte se një ndërtim i tillë i cënonte pronën që e kishte me dokumentacion të rregullt. Por të njëjtën gjë mësohet të ketë pretenduar edhe viktima, i cili vetëm disa çaste përpara ngjarjes tregonte se posedonte gjithë dokumentet për këtë pjesë toke. Më pas debati është ndezur edhe më shumë kur ata kanë filluar të fyhen me njeri-tjetrin. Banorë të zonës janë shprehur se 60 vjeçari Malaj kishte filluar të debatonte me Merkajn, por në gjaknxehtësi e sipër, ata kanë filluar të shahen e ofendohen, madje edhe me fjalë banale. Ka qenë pikërisht ky momenti kur 36 vjeçari Merkaj ka nxjerrë nga brezi i pantallonave një pistoletë dhe me të ka qëlluar drejt 60 vjeçarit, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Në këtë kohë bashkëfshatarë të tjerë janë afruar pranë vendit ku po ndodhte sherri, por kanë parë të shtrirë në mes të rrugës 60 vjeçarin e pajetë, e ndërsa Merkaj ishte larguar. Të alarmuar me dhjetëra banorë kanë munduar të marrin Aliko Malajn, për ta transportuar në urgjencën e spitalit e Mallakastrës, por ai kishte ndërruar jetë. Pas gjithë çfarë ndodhi janë lajmëruar  edhe uniformat blu të policisë lokalë, që kanë mbërritur menjëherë duke rrethuar zonën e duke larguar prej andej të gjithë njerëzit. Në ndihmë të bluve mallakastriotë kanë mbërritur në Poçem edhe kolegë të tyre nga qyteti i Fierit që kanë ngritur edhe pistat e hetimit dhe janë vënë në kërkim të autorit të ngjarjes, 36 vjeçarit Përparim Merkaj. Edhe pse deri tani nuk është mësuar asgjë zyrtare lidhur me motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje, pista kryesore është ajo e një konflikti pronësie, që ka shkaktuar edhe vdekjen e 60 vjeçarit. Njëkohësisht, uniformat e policisë janë vendosur në kërkim të autorit të krimit, i cili pasi kishte qëlluar bashkëfshatarin e tij u largua nga vendi i ngjarje. Blutë kanë arritur të gjejnë Merkjan në një distancë fare të vogël nga vendi i kryerjes së krimit dhe kanë mundur të bëjnë arrestimin e tij disa minuta më vonë, ndërkohë që mësohet se 36 vjeçari nuk ka bërë rezistencë. Burimet policorë pohojnë se po punojnë për zbardhjen e mëtejshme të kësaj ngjarjeje dhe për gjetjen e motiveve që e shtynë 36 vjeçarin Merkaj të kryejë një akt të tillë ndaj bashkëfshatarit të tij.

Last Updated on Thursday, 28 May 2009 13:42

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›