Tepelenë, banorët e fshatit Lekël kërcënojnë me bojkotimin e zgjedhjeve
Të pakënaqur nga të gjitha qeveritë e majta dhe të djathta, banorët e fshatit Lekël në rrethin e Tepelenës, kërcënojnë me bojkotimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Të mbledhur dje në qendër të fshatit Lekël afër kufirit ndarës administrativ mes Tepelenës dhe Gjirokastrës, ata kanë lexuar para mediave letrën e hapur drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësive të OSBE, ODIHR dhe të gjitha forcave politike. Problemet e tyre që nuk kanë gjetur asnjëherë zgjidhje, lidhen me infrastrukturën rrugore, ujin e pijshëm dhe atë për vaditjen e tokave bujqësore, shkollën dhe kullotat e fshatit.
Banorët kërkojnë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të nisë një hetim për 35 milion lekët të cilat qysh në vitin 1996 u akorduan për rrugën e fshatit. Në atë kohë investimi nisi në fushatën elektorale të atij viti dhe u përurua me bujë nga ish deputeti i zonës Blerim Cela, i cili premtoi se rruga do të bëhej me asfalt prej aksit që lidhte Tepelenën me Përmetin, e deri lart në fshat rreth 3 km gjatësi. Nga shuma e premtuar për investim, vetëm 500 mijë lekë janë hedhur në terren ku është sheshuar udha, shprehet Pano Dine, njëri prej tubuesve të djeshëm. Ndërkaq, sipas banorëve të tjerë, mungesa e rrugës ka sjellë si pasojë që fëmijët të mbeten vetëm me arsim 5-vjeçar, pasi shkolla është mbyllur dhe nuk ka rrugë normale që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollat e Tepelenës apo Gjirokastrës. Uji i pijshëm është një nga problemet kyçe për jetën në këtë fshat, pohojnë njëzëri banorët e Leklit pasi uji i Gurrës së Leklit i cili kishte në burim prurje prej 200 litrash në sekondë, u mor duke ju premtuar se do të lihej për konsumin e fshatit vetëm 60 litra për sekondë pasi pjesa tjetër do të shërbente për furnizimin e banorëve të qytetit të Tepelenës. Aktualisht sot fshati ka vetëm 3 litra ujë për sekondë. Por për banorët uji në fshat shërben edhe për vaditje që sipas tyre as mund të imagjinohet në këto kushte. Problemi i fundit në letrën e hapur drejtuar organizmave të lartpërmendura, ka të bëjë me kufijtë e kullotave të cilat Ndërmarrja e Kullotave në Tepelenë, ende nuk i ka ndarë. Banorët kërcënojnë bojkotin e zgjedhjeve të zhgënjyer nga qeveritë e majta dhe të djathta deri tani. Fshati Lekël, i cili shtrihet në rrëzë të malit Golik, ka një popullsi aktuale prej 100 banorësh ndërkohë që statistikat tregojnë se numri total është 300 banorë por 2/3 e popullsisë kanë emigruar.