E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ah, veshkat e mija Birçe Hasko me studentët denoncojnë mafien në mjekësi

Në sallën Black Box vjen një produksion tjetër teatror
Në sallën Black Box të Akademisë së Arteve vjen produksioni teatror "Ah, veshkat e mija" të autorit Babis Cikliropulos me regji nga Birçe Hasko, skenografi e kostumografi të Beqir Nanaj, përkthyer nga Natasha Kseno dhe në interpretimin e: Dorian Ramaliu, Devis Muka, Klodian Hoxha dhe Marsela Lena. Është një komedi dramatike tepër e hidhur dhe sarkastike, e cila sjell në qendër të vëmendjes aspiratat dhe aventurat e dy personazheve ekstrem të ndryshëm, të cilët përpiqen të mbijetojnë me nder. Miqësia dhe dashuria e tyre arrin deri në sakrificë kur papritur ata ndodhen përpara dilemës nëse do ti  japin veshkat e tyre personit enigmatik ndërmjetës, për të fituar para dhe të ndryshojë jeta e tyre. Vepra flet në mënyrë komike për vetminë, për etjen e kontaktit fizik, për shfrytëzimin e njerëzve të pamundur. Është një vepër që himnizon miqësinë dhe humanizmin. Shfaqja është një vepër që e kanë zgjedhur ish-studentët e mi që kanë dy vjet që kanë mbaruar. Ishte një dëshirë për të punuar me mua, unë iu përgjigja, çdo gjë është bërë pa asnjë qindarkë, falë dëshirës së tyre, me dashurinë dhe respektin për njëri tjetrin. I jemi përkushtuar punës shpirtërisht dhe e theksoj që, sikurse e nisëm pa lekë, pa lekë edhe do ta përfundojmë. Se si do të jetë shfaqja e vendos spektatori dhe kritika. Them që e vendos spektatori, sepse spektatori dhe kritika janë pushteti gjyqësor në art, kështu që si do të jetë, pa mburrje, pa dukjet etj. Shpresojmë të kemi bërë diçka të mirë, edhe pse është pa lekë. E përsëris, ka gjëra të mira që bëhen edhe pa lekë, tregon regjisori Hasko. Ndërkohë që për punën me studentët ai tregon se: Unë jam i mësuar, sepse kam 40 vjet që punoj në Akademinë e Arteve, kam kaluar studentë që janë dikush sot në jetë, të barabartë me mua, që nga Yllka Mujo e Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu etj. Jam krenar që ata janë dikush ose të barabartë me mua. Ndërkohë që Birçe Hasko i përket atij brezi të talentuar aktorësh shqiptarë, të cilët i kanë dhënë një kontribut të çmuar kinemasë shqiptare. I pyetur për punën me studentët ai tregon se: Jo jo, unë nuk jam i ashpër, madje jam shumë i ndjeshëm, do të thosha që jam kërkues. Në punë nuk bëj lëshime, as ndaj vetes. Ju ndoshta nuk e dini, por jam 68 vjeç dhe vij vetë më herët në punë. Kjo sepse puna të jep kënaqësi shpirtërore, kënaqësi intelektuale, të qetëson e të çlodh dhe të jep të gjitha të mirat ekonomike e shpirtërore. E thënë ndryshe, njeriut një dhe shejtanit dy, duhet ti gjesh punë, ose të hapin punë. Veprën e zgjodhën sipas dëshirës së tyre ish-studentët e mi. Më tej ai shton se shfaqja është nj tragjikomedi,e rilaka në qendër të saj mafien në mjekësi. Shfaqja bën fjalë për mafien në mjekësi. Gjithmonë sipas meje, sepse varet, këndvështrimi është personal, është një tragji-komedi, që te ne ndodh me të rritur e fëmijë, që shpeshherë merren me transplante veshkash, zemrash etj, gjë që është shumë e dhimbshme dhe është një problem aktual i kohës. Këtë e kuptojnë më mirë ata që e heqin në kurriz, sepse të tjerët mund ta quajnë teori, tregon regjisori Hasko. Vepra Ah, veshkat e mija ka të bëjë me trafikimin e organeve, me shkëmbimin e organeve njerëzore me qëllim përfundimtar transplantin e tyre tek të sëmurët. Praktika e saj është ilegale pothuajse në të shumtat e shteteve. Ky fenomen është paraqitur, sepse kërkesa e organeve për transplantim nga të sëmurët është më e madhe nga oferta-qoftë nga dhënësit e gjallë apo të vdekur. Mesazhi filozofik: Raporti midis mafies dhe raportit individual. Mënyrat e stërholluara e mafies për ti çuar njerëzit e varfër dhe papunë në klinikë më qëllim për ti shitur veshkat. Vepra vjen si produksion nga Qendra Art & Color, dhe sonte ka shfaqjen e parë në skenë për të vijuar deri në datën 31 maj. Ky produksion teatror u realizua me mbështetjen e Teatrit të Metropolit dhe Akademisë së Arteve.
Subjekti
Buli dhe Miçara janë dy shokë fëmijërie, beqarë, kanë ekstremisht karaktere të kundërta të cilët bashkëjetojnë prej vitesh, por, brenda në varfëri duke mbledhur vjeturina. Në jetën e tyre ata ndajnë gjithçka: punën, shtëpinë, ëndrrat, bonjakërinë, papunësinë, ankthin. Miçara frekuenton bordellon e lagjesh dhe rri me prostitutat, është më i hapur te ofertat që i bëhen por dhe naiv, ndërsa Buli është i turpshëm, nuk del nga shtëpia dhe pret të njoh dashurinë e vërtetë. Që të dy plotësojnë, mbështesin dhe kujdesen për njëri tjetrin. Ata kanë etje që të ndryshojnë jetën e tyre, të udhëtojnë, të bëjnë pushime në Afrikë në shoqërinë e vajzave të bukura dhe të qëndrojnë në detin me pemë hurmaje! Në jetën e tyre hyn një zotëri misterioz por dhe shumë tërheqës duke bërë samaritin e mirë papritur ai ju bën një ofertë joshëse që i çekuilibron, premton që do ti shpëtojë nga fatkeqësitë dhe do ti sigurojë mjaft para për të realizuar ëndrrat e tyre. Ai iu propozon që do ti blej veshkat e tyre për të bërë transplantin te një sëmuri kundrejt një pagese, kur ndërkohë zoti veshkaxhi  kthehet në një kërcënim për jetën dhe shëndetin e tyre. Megjithatë vepra  përmban shumë skena interesante dhe komike që i japin plot kolore ngjarjes, një nga ato është skena ku Miçara rruan Bulin dhe e përgatit për tu takuar me Magdalenën për ti kujtuar atij bukuritë e natyrës femërore qoftë nëpërmjet një dashurie të paguar. Magdalena një prostitutë me zemër engjëllore vjen në vepër si një priftëreshë e lashtë ku funksionon si një katalizator në momentin final ku një det me pemë hurmaje, si Itaka, i pret.
 

Last Updated on Thursday, 28 May 2009 13:27

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›