E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet grabitësi i 1.15 miliardë liretave të Sulo Shehut

 

Vlorë, "Vjedhja e Shekullit" vë në pranga Armando Muçon. Dhjetë vite më parë kishin kryer grabitjen më të madhe

VLORË- Kishte kryer një nga vjedhjet më të mëdha në qytetin e Vlorës dhe prej dhjetë vitesh kishte arritur që të fshihej e të jetonte i qetë me paratë e marra. Kjo është historia e 37-vjeçarit Armando Muço, i cili është arrestuar mëngjesin e djeshëm gjatë një operacioni "top sekret" të prokurorisë së Vlorës. Muço në bashkëpunim me dy persona të tjerë, i kanë grabitur biznesmenit vlonjat Sulo Shehu një shumë rekord prej një miliardë e 135 milionë lireta italiane. Grabitja ishte bërë gjatë kohës kur Sulo Shehu nuk ndodhej në shtëpi ndërsa rojet e tij janë kërcënuar me armë. Operacioni policor është koduar me emrin "Vjedhja e Shekullit".

Vjedhja

Burimet zyrtare të prokurorisë dhe policisë së Vlorës shpjeguan dje të gjitha detajet e asaj që ata e kanë konsideruar si "Vjedhja e shekullit". Sipas tyre, më datë 13 korrik të vitit 1998, rreth orës 02.00 të natës, persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në banesën e shtetasit Sulo Shehu ne lagjen "28-nëntori" të qytetit të Vlorës. Atë natë biznesmeni Sulo Shehu nuk ndodhej në banesë pasi ishte në një udhëtim pune jashtë Shqipërisë por shtëpia ishte e ruajtur me roje. Grabitësit kishin marrë këtë informacion dhe të armatosur më së miri kanë hyrë me shpejtësi në banesë. "Autorët, tre persona të armatosur dhe të maskuar, pasi kane neutralizuar rojet e banesës dhe lidhur ata, janë futur në ambientet e brendshme të saj. Për të bërë këtë gjë ata kanë shfrytëzuar ballkonin e banesës",- thanë dje burimet e grupit hetimor të çështjes. Sipas tyre, grabitësit kanë urdhëruar anëtarët e familjes së Sulo Shehut që të mos lëviznin e të mos bënin rezistencë. "Nën kërcënimin e armëve autorët kanë tërhequr zvarrë kasafortën duke e zbritur nëpër shkallë. Më pas e kanë hipur në një makinë, me të cilën dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në kasafortën e shtetasit Sulo Shehi gjendeshin një miliardë e njëqintë e tridhjetë e pesë milionë lireta italiane, të cilat janë vjedhur nga autorët",- pohuan burimet zyrtare. Pasi kanë marrë paratë, grabitësit kanë hedhur kasafortën, e cila është gjetur më pas e braktisur në lagjen "24-maji" të qytetit të Vlorës. Ajo ishte hedhur në një ndërtesë të pabanuar, pranë vendit të quajtur fusha e druve.

Arrestimi

Dosja hetimore në lidhje me këtë çështje ishte hapur dhjetë vite më parë nga ana e prokurorisë së Vlorës por më pas ishte mbyllur për mungesë të autorëve të krimit. Por pak ditë më parë, ndryshimi i ndodhur në krye të prokurorisë së Vlorës ka bërë që dosja të rihapej dhe brenda pak ditësh të zbulohej një prej autorëve të krimit. Burimet e prokurorisë pohuan dje se hetimi është kryer nga një grup shumë i ngushtë personash në të cilin bënin pjesë vetëm prokurori dhe zv/prokurori i rrethit. Nga shqyrtimi i provave që ndodheshin në dosjen e vjetër janë ngritur edhe dyshimet konkrete për të arrestuarin Armando Muço. "Identifikimi i tij është bërë shumë shpejt por më pas hetimet janë përqendruar në sigurimin e provave. Kemi arritur që duke përdorur teknika speciale hetimi të sigurojmë prova shkencore. Pas kësaj është bërë një seancë tepër sekrete në gjykatë dhe është vendosur masa e sigurisë për Muçon",- thanë burimet nga grupi hetimor i çështjes. Sipas tyre, vendimi është mbajtur në fshehtësi të plotë pasi Armando Muço njihet si një person tepër i rrezikshëm në qytetin e Fierit. Ai është pjesëtar i një bande të fuqishme në qytetin e Fierit, e cila është implikuar edhe në vrasjen e Pirro Koçiut në kryeqytet pak vite më parë. Për të kryer arrestimin e tij, mëngjesin e djeshëm janë nisur forcat e policisë së Vlorës por në ndihmë të tyre ka shkuar edhe FNSH e Fierit. Arrestimi është bërë brenda pak minutash dhe Armando Muço nuk ka pasur asnjë mundësi reagimi.

HETIMI

Burimet e grupit hetimor pohuan dje se autorësia e Armando Muços është e vërtetuar nga prova shkencore dhe hetimi i ngjarjes nuk do të zgjasë shumë. "Është një çështje e kopsitur mirë dhe akuza është vjedhje me armë në bashkëpunim. Dosja e të arrestuarit të djeshëm do të shkojë shumë shpejt në gjykatë. Ne jemi në ndjekje të dy bashkëpunëtorëve të tjerë të tij, për të cilët kemi disa dyshime. Për momentin duhet të bëjmë disa verifikime gjurmësh gishtërinjsh",- thanë dje burimet e grupit të hetimit. Sipas tyre, shumë shpejt kjo çështje do të shkojë në gjykatë.

PRECEDENTI

Biznesmeni Sulo Shehu njihet si një nga më të pasurit e qytetit të Vlorës dhe shpesh herë është bërë pre e sulmeve të grabitësve të ndryshëm. Burimet zyrtare të policisë pohuan se Sulo Shehu është grabitur edhe një herë në vitin 1997 dhe atëherë shuma ka qenë tepër e madhe. "Këtij shtetasi i është vjedhur në banesë në vitin 1997, një shumë prej 560.000.000 liretash italiane, vepër e cila nuk është evidencuar për shkak të gjendjes së pasigurt të rendit dhe sigurisë publike në atë periudhë kohe në qytetin e Vlorës",- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Vlorës.

SEKUESTRIMET

Operacioni i djeshëm policor i zhvilluar në qytetin e Fierit ka sjellë edhe disa sekuestrime, të cilat mund të përdoren si prova nga ana e prokurorisë në procesin që do të hapet së shpejti në gjykatë. Kështu, sipas burimeve zyrtare të policisë, gjatë arrestimit Armando Muços iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automjet tip Benz me targa "FR 9889 B", katër celulare me karta SIM, tre karta SIM dy, 2.780 euro, 100 dollarë kanadezë, 200 dollarë amerikanë si dhe 24.400 lek të rinj. Të gjitha këto sende do të përdoren në dosjen hetimore të çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›