Lushnje, përfshihet nga flakët shkolla 9-vjeçare
Lushnje- Shkolla 9-vjeçare në komunën e Fiersheganit është përfshirë nga flakët, që rrezikuan ta shkrumbonin tërësisht. Një shkëndijë u duk fillimisht në bodrumin e shkollës, ku ndodheshin libra të vjetër, banga të thyera, dërrasa të ndryshme dhe mbeturina. Sapo është vënë re tymi dhe flaka në shkollë të gjithë, mësues dhe nxënës kanë vrapuar për të shuar flakët me mjete rrethanore. Në vendngjarje kanë ardhur menjëherë zjarrfikëset, të cilat kanë larguar rrezikun dhe kanë shuar flakët. Sipas policisë, burim i zjarrit mund të ketë qenë ndonjë cigare e hedhur pa kujdes nga ndokush, pasi dera e bodrumit qëndronte e hapur ditë e natë. Eksperti i zjarreve, Loni Boçi tha se flakët mund të ngjiteshin në katet e sipërme të shkollës në rast se nxënësit dhe mësuesit nuk do kishin tentuar të ndërhynin.