Lushtaku: Kur përzihem në Mitrovicë e merrni vesh

Konkursi për ndërrimin e personelit në spitalin rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, duket të jetë i dështuar. Kjo për arsye se drejtori i spitalit Agim Peci dhe komisioni për përzgjedhjen e personelit kanë dhënë dorëheqje.
Të gjithë thonë se dorëheqja ka qenë për motive personale. Por, burime jozyrtare thonë se në këtë konkurs ka ndërhyrë kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku.
Sipas burimeve të Indeksonline, Lushtaku ka dërguar një listë me 100 persona të cilët është dashur të pranohen në konkurs.
“Kanë dhënë dorëheqje për arsye se Sami Lushtaku nga PDK ka sjellë një listë me persona të caktuar të cilët sipas tij është dashur patjetër të pranohen në punë, duke i përjashtuar të tjerët”, ka thënë një burim brenda spitalit “Sami Haxhibeqiri”.
Nga ana e tij kreu i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku ka mohuar akuzat të jetë përfshirë në konkursin për ndërrimin e personelit në spitalin “Sami Haxhibeqiri”.
“Nuk është e vërtetë, jo jo, nuk është e vërtetë. Kur përzihna anej ka Mitrovica e merrni vesh”, ka thënë Lushtaku për Indeksonline.
Ndërkohë që zëdhënësi për informim në MSH, Faik Hoti, thotë se ish drejtori Agim Peci, ka lënë këtë detyrë për arsye personale.
“ Drejtori ka dhënë dorëheqje për arsye personale dhe shëndetësore. MSH i ka kërkuar që të qëndrojë deri më 20 prill derisa në emërimin e ndonjë drejtori apo ushtrues detyre”, ka thënë Hoti për Indeksonline.
Ndërkaq, sa i përket dorëheqjes së komplet komisionit, Hoti thotë se MSH-ja nuk ka informacione për ndonjë trysni karshi komisionit.
Sipas tij, është mirë që arsyet t’i dinë vet anëtarët e komisionit.
“Nuk dimë asgjë, megjithatë ne do t’i shikojë të gjitha aspektet ligjore, dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshëm, me qëllim që ato 100 vende të lira të plotësohen. Është mirë që arsyet e dorëheqjes t’i dinë vet anëtarët e komisionit, ku besoj që i dinë”, ka shtuar Hoti.
Nga ana e tyre ish drejtori i Spitalit Agim Peci, si dhe kryetari i komisionit Burim Gashi, mohojnë që dorëheqja e tyre të ketë bejë me presion.
Që të dy thonë se shkak i dorëheqjes janë arsyet personale, duke mos dhenë asnjë detaj
“Dorëheqja ime ska të bëjë me konkursin. Ka qenë e pamundur me organizu punën ashtu siç kam dashur. Në rrethanat e krijuara nuk kam mujt me organizu punë të mirëfilltë. Në reparte ka probleme, ka qenë edhe kjo arsye”, ka vlerësuar Peci për Indeksonline.
Nga ana tjetër edhe ish drejtori i Komisionit Burim Gashi, thotë se të gjithë anëtarët e komisionit kanë arsyet e veta për dorëheqje.
I pyetur se si ka qenë e mundur që të gjithë anëtarët e komisionit të japin dorëheqje, ai ka shtuar se arsyet e dorëheqjes së tyre i dinë të tjerët, dhe se nuk bëhen publike.
“Arsyet personale i dinë të tjerët, arsyet personale nuk bëhen të ditura”, tha Gashi për Indeksonline.
Ndryshe, në konkursin që ishte shpallur nga spitali rajonal në Mitrovicë më 20 dhjetor të vitit të kaluar për pranimin e rreth 100 punëtorëve të profileve të ndryshme (mjekë, infermiere, staf administrativ, punëtorë sigurimi, kuzhinierë dhe pastrues) kishin aplikuar më shumë se 4 mijë persona./Indeksonline/