Bijtë e armatosur të pushtetit

Nuk janë vetëm djemtë e Adem Grabovcit ata që kacafyten me policinë. Duket se sfidimi i forcave të rendit është bërë modë për të afërmit e politikanëve. Probleme me policinë kanë pasur edhe nipi i kryeministrit Hashim Thaçi, djali i kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, si dhe vëllai i kryetarit të Komunës së Malishevës, raporton KTV.
Leotrim Thaçi, djali i Gani Thaçit, vëllait të kryeministrit, është arrestuar të mërkurën në mbrëmje në një lokal në kryeqytet, pasi kërcënoi se do t’i vriste pjesëtarët e sigurimit të lokalit. Burime të KTV-së kanë bërë të ditur se edhe ai ka rezistuar gjatë arrestimit.
Nipi i Thaçit në çeli ka mundur të takojë djalin e kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, i arrestuar vetëm një ditë më parë për armëmbajtje pa leje. I biri i kryetarit të Lipjanit, ishte ndaluar nga policia pasi i ishte gjetur revolja “Taurus PT 92 AF” dhe 57 copë fishekë, pronë e babait të tij.
Ndërkaq, vëllai i kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, Fatmir Kilaj e ka detyruar një polic që ta nxjerrë revolen dhe t’ia drejtojë në ballë për ta mbrojtur kolegen e tij./Indeksonline/