E Diel, 1 Nëntor 2026

Lustracioni, Berisha planifikoi sulm me gurë mbi Presidencë

Pamje nga seanca kur Bamir Topi u zgjodh president i Shqipërisë

Në një kabllogram të janarit 2009 Ambasada Amerikane në Tiranë i ka raportuar Uashingtonit një bisedë të gjatë që ka bërë me Presidentin e Republikës Bamir Topi. Në fokus të kësaj bisede është ligji i lustracionit dhe aspiratat politike të Topit. Sipas Ambasadës, Topi e sheh veten si pasuesin e Berishës në krye të PD-së dhe për këtë arsye ai nuk mund të dalë kundër ligjit të lustracionit pasi do të etiketohet si mbrojtës i komunistëve. Topi i ka shprehur Ambasadës Amerikane shqetësimet e tij në lidhje me ligjin si dhe frikën se Berisha do të organizojë një demonstratë kundër tij duke qëlluar institucionin me gurë.

Titulli: Presidenti Topi është vetëm në krye

Datë 9 janar 2009

Dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Merr Departamenti Amerikan i Shtetit

Firmosur: Zv. ambasadori Stiven Kristina

Material konfidencial, deklasifikohet më 01/08/2018

(Fillim i kabllogramit të zbardhur nga Wikileaks) – ..Presidenca shqiptare ndryshon dukshëm nga pjesa më e madhe e republikave parlamentare. I zgjedhur nga parlamenti, edhe pse presidenti ka shumë më pak kompetenca se kryeministri, ka pushtetin për të emëruar Prokurorin e Përgjithshëm si dhe gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Presidenti mund të vendosë veton për ligje, por parlamentit i duhet një votim me shumicë të thjeshtë për të kundërshtuar veton.

Topi i tha Ambasadës se debati për ligjin e lustracionit e ka ekspozuar shumë keq politikisht. Topi tha se PD do ta sulmojë egërsisht në rast se vendos veton kundër ligjit të lustracionit duke pretenduar se ai ka marrë informacione se aktivistë të PD-së do të nxirren në demonstratë kundër tij dhe do të godasin presidencën me gurë. Topi pretendon se edhe pse ka shumë aleatë brenda PD-së në parlament, asnjë nuk do të votojë pro vetos së tij në rast se vendos të bllokojë ligjin. Ai tha se në të vërtetë deputetët e PD-së do të ndjekin kryeministrin Berisha dhe do të kundërshtojnë Topin sepse kanë frikë se ndryshe Berisha do ti lërë jashtë listave zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Topi shprehu frikën se qëndrimi i tij kundër ligjit të lustracionit do ti kushtojë atij mbështetjen e shtresës kryesore politike- njerëzve të përndjekur nga regjimi komunist. Topi tha në mënyrë të përsëritur se në rast se vendos veton kundër ligjit, PD do të nisë një sulm ballor kundër tij që do të përfshijë edhe një fushatë diskredituese për etiketimin e tij si mbrojtës i ish-komunistëve.

Topi tha se ai nuk ka besim tek mbështetja e kreut të opozitës, Edi Rama, të cilin Topi e përshkroi si të ndrojtur dhe një njeri që ka bashkëpunuar me Berishën për të ulur kompetencat e presidencës… Topi u ankua për ndrojtjen që ka shfaqur opozita duke e përshkruar PS-në si pothuajse të padukshme në rolin e një partie opozitare. Topi tha se mungesa e vullnetit dhe dëshirës nga ana e PS-së e ka detyruar që të shfaqet vetë në rolin e opozitës. Kjo gjë ka sjellë përplasje të shpeshta të tij me kryeministrin Berisha dhe ka zvogëluar dukshëm pozitat e tij në PD.

Topi tha se ai e sheh detyrën e Presidentit në mbrojtje të institucioneve të pavarura si Prokurori i Përgjithshëm. Topi tha se kjo gjë e ka vendosur disa herë në konflikt me kryeministrin, por disa principe vijnë përpara të tjerave…

Teksa Berisha është një anëtar i elitës komuniste, Topi nuk ishte as anëtar partie dhe familja e tij, e afërt dhe rrethi i gjerë, ishin persekutuar nga komunistët. Ai e gjen veten tani në pozicionin absurd ku nëse ai vendos veton ndaj ligjit, do të cilësohet nga Berisha si mbrojtës i komunistëve.

Izolimi politik i Topit kundërshtohet edhe nga ambicia e tij politike. Topi e sheh veten si një pasues të mundshëm të Sali Berishës si kryetari i ardhshëm i PD-së dhe kjo shpjegon ngurrimin e tij që të përfshihet në një përleshje publike me PD-në për ligjin e lustracionit. Topi ka mbetur në mes të ambicies së tij politike dhe detyrës që të mbrojë Kushtetutën dhe demokracinë në Shqipëri. Mënyra se si do të menaxhojë situatën e ligjit të lustracionit do të jetë veprimi i tij më i vështirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›