Kuvendi, sot senca e parë e sesionit parlamentar
Kuvendi i Shqipërisë hap sot sesionin parlamentar me seancën e parashikuar për në orën 18:00. Në punimet e sotme, të pranishëm do të jenë edhe deputetët e opozitës. Në axhendën e sotme është parashikuar hapja e punimeve të Kuvendit për sesionin e V-të të legjislaturës së XVIII, miratimi i procesverbalit të seancës plenare, njoftimi për miratimin me konsensus të programit të punës së Kuvendit për periudhën 5 shtator – 14 tetor 2011 dhe njoftimi për miratimin me konsensus të kalendarit 3 javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator – 23 shtator 2011.
Një ditë më parë, Presidenti Topi përmes një mesazhi në media u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të heqin dorë nga bojkoti dhe të krijojnë një klimë bashkëpunimi për miratimin e ligjeve të rëndësishme që ndikojnë direkt në integrimin e vendit.
Qytetarët kanë nevojë të shohin një parlament që bën pak propagandë dhe shumë punë, që miraton ligje kushtetuese në dobi të qytetarëve, që kontrollon qeverinë dhe nuk është shtojcë e saj, që respekton pa imponim institucionet kushtetuese, që bëhet promotor e jo pengesë për integrimin, dhe kështu, përcjell vlera e jo mosbesim tek qytetarët, tha Topi.