E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lustracioni”, Kushtetuesja në konflikt interesi, vazhdon të mbrojë krimet e komunizmit”

Reagojnë shoqatat e ish-të përndjekurve “Ish-të përndjekurit shprehen të vendosur për të kërkuar deri në fund zbatimin e këtij ligji që sipas tyre e rendit Shqipërinë ndër të vetmit vende ish-komuniste ku ende nuk janë zbardhur krimet e bëra gjatë 50 viteve të diktaturës. Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese, është një gjykatë në shërbim të Partisë së Punës dhe Partisë SocialisteIsh-të përndjekurit politikë e cilësojnë absurd vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, i hedhur poshtë me votë unanime nga ky institucion tre ditë më parë. Përfaqësues të shoqatave të ish të përndjekurve politik, sqarojnë se marrja e një vendimi të tillë ndaj zbardhjes së krimeve të komunizmit nga kjo gjykatë nuk përbënte aspak risi. Dhe argumentin e tyre ish-të burgosurit politikë e bazojnë në konfliktin e interesit që sipas tyre trupa gjyqësore kishte për marrjen e një vendimi ndaj ligjit. “Nuk ka asnjë shpjegim tjetër, veçse një pjesë e atyre zotërinjve të gjykatës Kushtetuese, janë ndoshta nostalgjikët e atij regjimi të kaluar dhe nuk duan t’i heqin petat lakrorit për të parë ata elementë të cilët janë të inkriminuar dhe nuk duhet të jenë në ato poste që janë sot”, u shpreh Agim Musta, kreu i shoqatës së intelektualëve të përndjekur “Musine Kokalari”. Po ashtu në të njëjtën linjë qëndrimi u shpreh edhe Skënder Qendro, kryetari i Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. “Ne e prisnim që ky ligj të mos aprovohej sepse 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë në konflikt interesi. Në Gjykatën Kushtetuese po bën pjesë, duke qenë edhe prej shumë kohësh kryetar, sot anëtar i kësaj gjykate, Fehmi Abdiu, i cili në vitin ’88-të ka dhënë vendimin për dënimin me varje, për një nga intelektualët më të mirë të vendit, Havzi Nelës”, tha Qendro.    Ish–të përndjekurit shprehen të vendosur për të kërkuar deri në fund zbatimin e këtij ligji që sipas tyre e rendit Shqipërinë ndër të vetmit vende ish-komuniste ku ende nuk janë zbardhur krimet e bëra gjatë 50 viteve të diktaturës. Sipas tyre ky ligj nuk synonte as të shëronte plagët e vjetra dhe aq më tepër hakmarrjen ndaj funksionarëve të lartë që ende dhe sot shprehen ata, janë në poste drejtuese, por ata sqarojë se nëpërmjet tij synohet që vendi të ndahet nga e kaluara e errët totalitare. “Ne nuk jemi për dënime në forma varje, por jemi për zbatimin e ligjit. Në mungesë të ligjit të ri duhet një referendum popullor, le të vendosë populli për gjithçka. është absurd sepse të gjitha vendet e Europës lindore i kanë miratuar ligjet për shkëputjen nga regjimi komunist, ndërsa Shqipëria ende vazhdon”, deklaroi Reshat Kripa, ish i burgosur politik gjatë diktaturës komuniste. Përfaqësuesit e shoqatave të të përndjekurve politik kërkojnë që ky ligj të kërkohet edhe më tej në shkallët më të larta ndërkombëtare, për t’u zbatuar. “Pa u zbatuar ky ligj nuk mund të bëhet as reforma dhe as nuk mund të ketë demokraci të plotë në vendin tonë në Shqipëri”, shprehet Skënder Qendro, kryetari i Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.Vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese për Ligjin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë, u mor pas ankesave që Partia Socialiste, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata e Prokurorëve bënë pranë këtij institucioni.Ish-të përndjekurit politikë si njerëz që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti persekutimin komunist të regjimit të kaluar, nga an tjetër, nuk ngurrojnë të thonë se ata që kanë burgosur, firmosur pushkatime të të afërmve të tyre janë të njëjtët që sot përbëjnë trupën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. “Këta e dëmtojnë rëndë demokracinë. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë bijtë e komunistëve. Ata komunistë janë”, u shpreh ish poeti i persekutuar, Tanush Kaso. Ish të përndjekurit inkurajojnë mazhorancën për të iniciuar një referendum mbarëpopullor me qëllim hapjen e dosjeve. “Ne jemi ‘pro’ referendumit, Gjykata Kushtetuese është një gjykatë partiake, i shërben Partisë së Punës, i shërben Partisë Socialiste”, deklaroi Gjosho Gjeci, i përndjekur politik. Një ditë më parë mazhoranca, nëpërmjet deputetes Mesila Doda, tha se Gjyakata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e “Lustracionit” në shkelje të parimit universal të konfliktit të interesave, përcaktuar kjo edhe nga Gjykata e Strasburgut në 2008-ën dhe në kushtet e një presioni të madh brenda saj nga Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›