“Mazhoranca e gatshme për dialog, kërkesat antiligjore, jo objekt i negociatave”
Reagon LSILëvizja Socialiste për Integrim, pjesë e koalicionit qeverisës, u shpreh dje se mazhoranca është e gatshme të presë opozitën në tryezën e diskutimeve, por jo për të negociuar kërkesat që bien në kundërshtim me ligjet. LSI u shpreh kundër imponimit të çfarë do lloj modaliteti nga ana e PS në tryezën e diskutimeve. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama deklaroi se dialogu institucional merr një rëndësi madhore për zgjidhjen e situatës politike në vend, por ky dialog duhet të jetë në frymë me Kushtetutën dhe në zbatim të Kushtetutës së vendit. Sipas tij, Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të jetë maksimalisht e angazhuar dhe seriozisht e investuar që të bëhet zgjidhja më e mirë që përshpejton reformat europianizues të vendit, që përshpejton rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, sepse qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për demagogji apo për kushte që vijnë nga individë të veçantë, por kanë nevojë për zgjidhje të problemeve, në mënyrë që ata të shkojnë pa viza në pasaportat e tyre europiane, si qytetarët të barabartë të Europës dhe shumë shpejt të jenë pjesë e bashkësisë së vendeve të Europës së Bashkuar.Lidhur me sulmet që kryesocialisti Edi Rama bën në adresë të LSI, duke e defaktorizuar rolin e saj në politikën shqiptare, Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Luan Rama tha se kryesocialisti është duke punuar kundër evropianizimit të Shqipërisë. Sipas tij, LSI ka treguar vullnet të qartë dhe është tërësisht e angazhuar për një zgjidhje të shpejtë të situatës, për t’i shërbyer ecurisë të mëtejshme të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. ...