Lustracioni: Ligji për dosjet, spiunët jashtë politikës deri në vitin 2030

Tryeza e e Grupit për të Drejtat e Njeriut
Iniciativa nga Grupi i të Drejtave të Njeriut, Meksi dhe Biberaj. Preken nga ish-anëtarët e Byrosë deri te denoncuesit në gjyqet politike.
Meksi: Duhet lobim me deputetët dhe me partitë.
Shoqëria civile ka propozuar dje një ligj për hapjen e dosjeve në Shqipëri. Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, ish-kryeministri Aleksandër Meksi, ish-deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj dhe një grup juristësh kanë punuar për të hartuar një draft, i cili përmban 31 nene dhe e shtrin efektin e tij nga 24.10.1944 deri më 31.03.1991, përfshi edhe sigurimsat deri më 2.7.1991. Në këtë projektligj parashikohet verifikimi i figurës për të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, nga Presidenti deri te rektorët dhe drejtuesit e Radio Televizionit publik. Ndërsa në nenin 4 të tij janë parashikuar të gjitha funksionet, nga anëtar ose kandidat i Byrosë politike deri në denoncues në proceset politike, si të papajtueshëm me postet drejtuese në administratë. Ky variant parashikon ngritjen e Autoritetit të Kontrollit të Figurës, i cili do të përbëhet nga 5 anëtarë dhe do ta ushtrojë veprimtarinë e tij deri në 2030-n. Në pikën 2 të nenit 13 thuhet se në rastin e kandidatëve për tu zgjedhur në Kuvend në organet e qeverisjes vendore apo në organe të tjera përfaqësuese, ata i nënshtrohen verifikimit të figurës së zyrtarit përpara regjistrimit si kandidat në procesin përkatës zgjedhor. Ky njoftim bëhet nga kandidati ose propozuesi i tij dhe është i detyrueshëm. Duke folur në tryezën e zhvilluar dje për propozimin e këtij drafti, ish-kryeministri Meksi tha: Do të jetë e vështirë që në Parlament të kalojë. Mbase do të ishte një truk, kemi pasur edhe variantet tona, ndonjë gjë që mund të duket ekstreme, që parashihet që ska për ta kaluar, sepse i djeg këtij apo atij, mund të vihet me një apo dy variante në ligjin që duhet ti çohet Kuvendit. Duhet bërë edhe lobim me deputetët. Një minimum janë ofruar, mund të jetë i mjaftueshëm. Duhet bërë lobim edhe me partitë, jo për të likuiduar x person apo për të zgjidhur inatin me një grup të caktuar njerëzish. Nëse do të bëjmë lustracionin, ky duhet të jetë për të gjithë.
Ligji i propozuar nga shoqëria civile
Neni 3
Subjektet e verifikimit
Subjekte të verifikimit sipas këtij ligji janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme: a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë; b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore; d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive; e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c; f) Guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë; g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë Gjeneral dhe Kolonel; h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; i) Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture; j) Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiakë; k) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit të Brendshëm (SHKB); l) Funksionarë në Gardën e Republikës; m) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati; n) Ambasadorë, këshilltarë e sekretarë në përfaqësitë tona diplomatike; o) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokal të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit; etj.
Neni 4
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme: a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv.kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit; b) Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 marsit 1991. c) Zv.ministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ (legal apo ilegal), bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991 kur krijohet SHIK; d) Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare; e) Bashkëpunëtor si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja; f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve; g) Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese politike speciale; h) Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike.
Aleksandër Meksi
Një variant ishte që pse nuk janë përfshirë sekretarët. Kjo është selektive, unë e kam të qartë për kë e kanë. Por harrojnë që e kanë për një sekretar të Tiranës, apo në Komitetin Qendror, në organizatën e partisë, apo për ndonjë sekretar të ndonjë fshati të humbur. Duhet parë pak kjo punë, por mund të shtohet si variant. Të gjithë kanë qenë nga një herë sekretar.
Elsa Ballauri
Në këtë ligj jemi munduar të jemi po aq të ashpër dhe po aq të drejtë, sikurse do të ishim shumë vjet më parë. Është vonë, por asnjëherë nuk është vonë për tiu rikthyer Shqipërisë në periudhën më të errët të saj. Është deri diku e vërtetë që dosjet janë shkatërruar.
Ne nuk do të kemi shumë fakte në dorë, por nuk mund të justifikojmë zhdukjen, për të mos thënë që sdo të merremi me çështjen e dosjeve.
ADI SHKEMBI