Lustracioni është çështje vullneti politik

Në një tryezë familjare po pinin raki tre shokë fëmijërie Njëri ishte nga ata që kishin dorëzuar teserën e PPSH-së, në proceset e para demokratike. Kishte ngrënë edhe burg, por ishte rehabilituar.
Tjetri: ishte majtist fanatik. I treti merrej me biznes dhe nuk donte t’ia dinte për politikë. E zonja e shtëpisë, si i shoqi biznesmen, ishte apolitike. / Dorëzuesi i hershëm i teserës, tha, duke iu drejtuar më shumë atij fanatikut: - Ju e keni kollaj që të mos e pranoni ligjin e pastërtisë së figurave. Ndërhyni në prokurori (me që ju ecën fjala atje), që në gjyqet që ua bëni pretencat para se të merret vendimi, të vendosen si prokurorë e gjyqtarë ata që kanë qenë me gisht në hetuesitë e asaj kohe, që e di lëkura ime sesi bëheshin. Kur demokratët t’ua zbulojnë lakrat dhe ish-të përndjekurit t’ua tregojnë ç’kanë hequr nga ata, do të kërkohet dorëheqja e tyre, si e papërshtatshme. Atëherë ju ngrini zërin se në këtë ligj pastrimi po preken të drejtat njerëzore! (Të dhënat: nga e zonja e shtëpisë).
*
Vetë fjala lustracion kërkon një shpjegim të shkurtër. Sepse problemi në shqyrtim ka marrë një përplasje të gjerë mendimesh, veçanërisht kohët e fundit. Fjala duket se është e re: ajo nuk gjendet në fjalorët tanë të vjetër dygjuhësh. Por mund të zbërthehet në fjalorët enciklopedikë. Rrjedh nga latinishtja: lustratio ose lustrum. Mund të përkthehet: pastrim. Fjala e huaj, - por që njihet nga lexuesi, - është purifikim.
Çështja e lustracionit ka vënë në ballafaqim të dy formacionet politike shqiptare, të djathtën dhe të majtën. Gjithmonë e më tepër po qartësohet se vullneti për t’i dhënë zgjidhje problemit, mungon nga kjo e dyta. Është e natyrshme, po të kemi parasysh se kontingjentet e cenuara nga kjo reformë, individët pjesëmarrës në abuzimet e sistemit tonë diktatorial në prekjen e të drejtave fillestare të njeriut, janë të përfshira përgjithësisht në partitë e majta. Një pjesë e vogël i është bërë krah PK-së shqiptare të sotme. Por, meqenëse individët anëtarë të kësaj partie janë të pakët (me elektorat rreth 0,5 %), pjesa më e madhe e atyre që nuk duan të preken nga ligji për lustracionin, përbëhet nga anëtarë të PS-së, PSI-së, PSD-së dhe të ndonjë partie pa elektorat.
Prandaj nuk është ndonjë befasi që LSI-ja dhe PSD-ja janë të dyja bashkë, në kundërvënien e tyre ndaj ligjit të lustracionit. Pavarësisht se kjo parti e fundit është oponente, në njëfarë mënyre, me Lëvizjen Socialiste për Integrim, se aleancën e ka me PS-në e Edi Ramës. Të dyja thonë se ligji “prek të drejtat e njeriut”. Që këtu shohim një kundërthënie të vogël. Sepse ligji cenon bash ata që kanë pas prekur këto të drejta të njeriut! Apo krimet kundër njeriut u dashkan parashkruar? (Në Gjermani ndiqen edhe sot penalisht bartësit e krimit nazist). Ngatërrohen, pra, alfa me betën, ku alfa duhet të jetë prekja e të drejtave njerëzore nga sistemi i diktaturës. Cilido që bën një krim, paditet, gjykohet dhe dënohet. Paradoksi majtist i arsyetimit të çon në absurdin se autori i çfarëdo krimi nuk duhet të burgoset sepse, në këtë mënyrë, i preken të drejtat njerëzore! (Në fakt, autorët seriozë të këtij ligji lustracioni nuk kërkojnë burgosjen e bartësve të krimit komunist, por të privohen ata nga disa të drejta prioritare, - apo privilegje, - për një kohë pesëvjeçare. Por edhe kjo na qenka e tepërt – gjynah, të shkretët! - për mbrojtësit e krimeve të diktaturës, të cilët kanë rënë në batakun e silogjizmave të tyre. Domethënë, synojnë të na trallisin që të besojmë se ata mbrojtës janë të superzellshëm për këtë ligj lustracioni!).
Në arsyetimin e tyre, këto dy parti (LSI+PSD) e quajnë ligjin për lustracionin si goditje të ligjshmërisë (!). Me këtë duan të thonë se ligji na qenka antikushtetues. Ndonëse, në këtë rast, nuk e kanë thënë shprehimisht një gjë të tillë. Por ligji në përgjithësi, apo kushtetuta,- në veçanti, - a kanë ndonjë nen të posaçëm që të justifikojë krimin politik të diktaturës? Në një arsyetim të përafërt, le të shohim nocionin kushtetues se të drejtat njerëzore janë të pacenueshme, të patjetërsueshme dhe të mbrojtura me ligj. A nuk cenohen në këtë mënyrë të drejtat njerëzore, të shpërfillura tragjikisht në kohën e regjimit komunist të E. Hoxhës, kur përdoreshin torturat gjer në vdekje të viktimës në hetuesi? Natyrisht në sistemin e torturave,
të pandehurit që u binin në dorë hetuesve, gjyqtarëve, prokurorëve, operativëve të Sigurimit,
dënoheshin duke qenë të pafajshëm dhe duke pohuar “fajësi” të paqena. Nëse mëtohet se torturat nuk përmendeshin në mënyrë taksative në legjislacionin e diktaturës, kjo nuk do të thotë se nuk ekzistonte fakti i dhunës së skajshme në proceset hetimore. Një konstitucionalist i shquar i së drejtës ndërkombëtare ka thënë: “Nëse i pandehuri në gjyq bën akuzë të vetvetes, duke marrë përsipër krime të paimagjinueshme, duhet të dini se ai ka folur nën ndikim të torturës”. Kemi parë të filmuar se ish-ministri i Punëve të Brendshëm, Feçor Shehu, e tha hapur në gjyq se e kishin torturuar për vdekje. Pavarësisht se të tjerë, para tij, ishin torturuar si edhe ai vetë, me dijeninë dhe pranimin e tij!
Kur themi “ishin torturuar”, kemi parasysh jo vetëm viktimat, por edhe persona konkretë që janë marrë me këtë punë si xhelatë, në përdorimin e dhunës ndaj të pandehurve. Krimi i tyre nuk parashkruhet.
Në arsyetimet kontradiktore të asgjësimit të ligjit për lustracionin, - apo të shndërrimit të ligjit vetë, në një letër hibride formale,- arrihet gjer në paradoksin që ligji, i zvetënuar kështu, të bëhet i pazbatueshëm édhe për një krim të tanishëm, qoftë edhe ordiner; sepse arrestimi i fajtorit na bie ndesh me të drejtat e njeriut... Në një supozim të tillë, na preket e drejta e kriminelit!
Për të dalluar sesa të etur janë të majtët tanë për zbatimin e këtij ligji të lustracionit, po citojmë nga një funksionar i LSI-së:
“Ligji është bërë vetëm për t’u përdorur në mënyrë selektive nga mazhoranca e sotme si një mjet presioni për të frikësuar e intimiduar prokurorë e gjykatës, të cilët po hetojnë aferat korruptive të kësaj qeverie”.
Arsyetimi të çon në bumerang. Pranohet, pra, se afera të rëndësishme po gjykohen nga këta politikanë me “partis pris” dhe jo nga prokurorë e gjykatës, të frikësuar e të intimiduar ose jo (kjo është hamendësia e këtyre politikanëve). Së dyti, mund të bëhen disa pyetje: Përse u dashka që në këto gjyqe të një rëndësie të veçantë të ngarkoheshin persona të prezumuar si të prekshëm nga ligji i lustracionit? Pak gjyqtarë të zot e të paimplikuar tetëmbëdhjetë e kusur vite më parë, ka ky sistemi ynë i drejtësisë? Apo, duke qenë të prirur për një kazus të tillë provokues, të shpifet një farsë e fantazuar, me presione, frikësime e “intimidime”, që do të binin si flluska sapuni. Mjafton që prokurorët e gjyqtarët e çështjes të ishin të pakomprometuar dhe... mbaronte filmi! Të tillë janë shumica absolute. Atëherë përse në çështjet më delikate gjyqësore të tanishme caktohen bash ata që i shërbyen diktaturës me një zell të veçantë? Së pari këta janë të përkëdhelurit e diktaturës. B. Blloshmi dhe të tjerë, kanë folur njëzëshëm për zellin e Zamir Shtyllës, për shembull, për të dhunuar të inkriminuarit e komunizmit. Tani ai u dashka që të mos kapet nga ligji i lustracionit jo sepse ai është i pacenueshëm ndaj qëndrimit të tij në kohën e diktaturës, por sepse ai u dashka të mos intimidohet (!) (trembet), meqë po heton afera korruptive ndaj kësaj qeverie! Ti nuk je prokuror, z. Nasto, që na flet për afera korruptive. (Të majtët e kanë shumë për sevda të bëhen prokurorë!). Për të ndjerin K. Trebicka politika e majtë e dha sentencën se është vrarë dhe jo se është aksidentuar(!). Por nga cili u vra? Kjo paska qenë e vështirë të thuhet. Sikur vendi i aksidentimit (që dëshirohet të jetë i krimit!) të ishte në një labirinth si ai i Minotaurit dhe jo një fushë me përmasa të mëdha, fushë e hapur. Mund të gjendej, së paku, një person, që të ishte në gjendje të dëshmonte ç’kishte parë në këtë vend të hapur. Tani gjyqtarët e vetemëruar (majtistët) sikur nuk po ndihen më, në atë dëshirën patologjike për ta paraqitur vdekjen si të qëllimtë e jo aksidentale.
Që “ligji të mos përdoret në mënyrë selektive” – siç shprehet funksionari i lartpërmendur, - puna është tepër e thjeshtë: Le të ngarkohet një gjyqtar i pacenueshëm nga abuzimet e asaj kohe dhe muhabeti merr fund me kaq! Por jo! Duan që filmi të vazhdojë! Kështu bëjnë edhe një diktat: -“Ai që ngarkohet të hetojë Gërdecin, duhet të vërë në vend edhe dëshirën tonë që të nxjerrë fajtorë”. Përndryshe... ai nuk qenka i paanshëm dhe e përdor ligjin në mënyrë “selektive” (përzgjedhëse, për ata që nuk e dinë mirë shqipen!).
Majtistët e kanë të lehtë që të shndërrojnë shkakun në pasojë dhe pasojën në shkak!
Ndërkohë, Nasto sqaron se LSI-ja është parimisht dakord për një ligj të tillë, por ligji që ka hyrë në fuqi “ka komprometuar qëllimin e tij kryesor që konsiston në masat për të çinstaluar trashëgiminë e sistemit të mëparshëm totalitar”. Në të vërtetë e majta jonë nuk është dakord për një ligj të tillë, se nuk e ka dëshirën për të çinstaluar trashëgiminë e sistemit të mëparshëm totalitar. A protestoi LSI-ja për atë glorifikim të E.H.-s në Pezë, më 16 shtator? Apo atë shfaqje të nostalgjisë, - që është anakronike në kohën tonë, - e organizoi e djathta?!. Le të pyetet zotëria nëse e beson këtë? Në qoftë se nuk e beson, le të mos flasë, atëherë, për “çinstalim të trashëgimisë së sistemit të mëparshëm totalitar!”.
Natyrisht që do të dëshironim t’i jepnim një përgjigje édhe z. Engjëll Bejtja (të PSD-së), që ka merakun se ligji i lustracionit “e futka Shqipërinë në konflikt të hapur me SHBA-të dhe me BE-në”.
Një ish-i përndjekur politik do t’i thoshte Bejtjes: “Ulu, se të pamë!”. Le të lexojë “55-n” që të shohë, konkretisht, sesi u dënuan padrejtësisht ithtarët entuziastë të amerikanizmit, vetëm për dashuri amerikane, por jo për komplote të sajuara me tortura sadistësh. E këta të fundit, torturuesit që sot mbrohen, me urrejtje të hershme kundër Amerikës, e kanë me hak që të jenë, tanimë, të prekur nga ligji i lustracionit! (Së paku ata më mizorët). Dhe bash për këtë meritokan mbështetjen e partisë së Bejtjes, e cila i ka përreth, brenda përbrenda, këta zelltarë që të dënonin si antiamerikanë! Pa dyshim u dashkan mbrojtur edhe nga ai vetë, zoti Engjëll, paçka se ai na loz rolin e proamerikanizmit!
Spiuni i KGB-së, Ellxhër Hisi, iu bë rodhe Ruzveltit dhe ishte i besuari i tij në Jaltë, ku ndaheshin fatet e njerëzimit! Por sapo mbaroi lufta, Hisit i dolën bathët dhe iu nënshtrua gjyqit të demokracisë amerikane!
Antiamerikanët i keni midis jush! – zotërinj majtistë.