Lutaj: është rritur pasiguria në vend

Partia Socialiste ka reaguar për situatën e sigurisë në vend duke theksuar se është rritur pasiguria e jetës. Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Piro Lutaj ka theksuar se ky fenomen është shetësues, për çdo shqiptar që e sheh ditë pas dite se sa pak vlen jeta e tij, pikërisht nga mungesa e sigurisë në vend.
"Kjo javë ka qenë alarmante sa i përket sigurisë së shtetasve. Ironikisht vetëm në fillim të saj Berisha u shiti shqiptarëve dështimet e policisë si suksese të qeverisë së tij. Dhe ditët që pasuan shënuan një bilanc lufte në humbjet e jetës së shtetasve" theksoi Lutaj.
Sipas Lutaj shifrat e kriminalitetit sipas statistikave që ka demonstruar vetë Policia e Shtetit, janë alarmante, dhe nuk japin aspak tabllo optimiste të situatës së sigurisë në vend.
"Kështu, nëse do t'i referohemi statistikave zyrtare të policisë, vihet re se krimi është në rritje dhe i pakontrolluar gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance. Rritja e kriminalitetit është gati 1200 vepra penale për çdo vit, çka flet vetë për një situatë alarmante dhe mosplotësim të standarteve që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë në vend" theksoi më tej Lutaj.