E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja e lirë ul çmimet e biletave dhe paketave turistike

Vizat

Liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, që nis më 15 dhjetor, do të sjellë konfigurim të ri në tregun e udhëtimeve të shqiptarëve dhe zgjerim të hartës gjeografike turistike drejt vendeve të zonës ‘Shengen’. Operatorët e agjencive turistike premtojnë ulje me rreth 20% të çmimeve si për biletat, ashtu edhe për paketat turistike. Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Sadik Malaj, deklaroi se gjeografia e lëvizjeve turistike të shqiptarëve me liberalizimin e vizave të vendeve ‘Shengen’ do të krijojë tendenca të reja të daljeve turistike.

“Parashikimet tona për të ardhmen, pas liberalizimit të vizave për shqiptarët bëjnë të mundur që turizmi “outgoing” apo që daljet turistike të shqiptarëve të rriten rreth 43% më shumë se daljet turistike, përqindje e cila do të jetë më e madhe në vendet e Bashkimit Europian (vendet ‘Shengen’), nga rreth 15% që ka qenë për vitin 2010", tha Malaj.

Sipas tij, nisur nga koha e marrjes së vendimit nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian më 8 nëntor për liberalizimin e vizave të shqiptarëve me vendet e ‘Shengen’-it pas datës 15 dhjetor, operatorët turistikë kanë riparë ofertat turistike të fundvitit, pasi kërkesat kanë njohur rritje të ndjeshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›