E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media si fatkeqësi natyrore

Përderisa çdo fatkeqësi që ka ndodhur në Shqipëri nën regjimin e Berishës është quajtur dhe vazhdon të quhet nga media si fatkeqësi natyrore, po vendos ta quaj edhe median shqiptare sot një fatkeqësi të tillë, natyrore. Në fakt mendoj se ashtu si Gërdeci, 1997-a, Shkodra dje, sot dhe nesër, varfëria, papunësia, vrasjet, vetëvrasjet, të gjitha fatkeqësi berishiane, edhe media shqiptare është sot, as më shumë e as më pak, një fatkeqësi berishiane...

Kur fatkeqësitë pushtojnë një vend, është koha e medias të tregojë veten. Roli mediatik nuk fillon dhe mbaron me fotografimin e një ngjarje, kjo është faza e domosdoshme, por fillestare. Sot me Shkodrën ashtu sikur me Gërdecin, si dhe me një varg të gjatë tragjedish, media shqiptare tregon se nuk e kalon dot fazën e parë të misionit të saj. Ky mision është reduktuar në thjesht fotografim pa ngjyrë dhe nuancë të asaj që ndodh. Edhe pse tashmë ky fotografim mund të jetë më modern dhe i dixhitalizuar, sërish fillestar mbetet.

Kur Shkodra u përmbyt janarin që shkoi, u shpejtua të bëhej një krahasim me "Katrinën" që ishte fatkeqësi natyrore, por më së shumti keqmenaxhim qeveritar, për pasojë republikanët amerikanë u ndëshkuan me votë dhe humbën presidencën 2 vjet më pas. Sot nuk krahasohemi dot më, me "Katrina" të ngjashme, jo sepse tufanet dhe ciklonet nuk kanë ndodhur më në Amerikë, por sepse politikanët dhe qeveritarët dinë të zënë mend dhe të marrin masa, sepse njerëzit votojnë dhe vota e tyre lexohet drejt, sepse demokracia funksionon dhe gjërat nuk i lihen në dorë nënës natyrë. Gjithashtu sot nuk kemi pse dalim jashtë kufijve për krahasim, kemi tragjeditë tona të përsëritura që na dalin e teprojnë.

Media shqiptare në përgjithësi ka dështuar në trajtimin e ngjarjeve të mëdha, kur në fakt ka pasur shansin e artë të shkëlqejë. Imagjinoni në ato të voglat e të përditshmet? Nuk është mjaft të tregosh sa centimetra bie uji çdo ditë, sa njerëz janë kthyer në shtëpi dhe sa pako makarona po nisen drejt tyre. Kryesorja që një tragjedi mos përsëritet është gjetja e shkaktarëve të herës së parë dhe herës së fundit. Nuk ka asnjë emision analitik, analizë apo lajm ku të gjithë mos bien dakord se kjo është një fatkeqësi natyrore. Ashtu sikur nuk shoh asgjëkund vënien e qeverisë me shpatulla pas murit, të paktën për premtimet që bëri vitin që shkoi lidhur specifikisht me këtë problem. Në fakt unë nuk mendoj se shiu është fatkeqësi natyrore, sepse nuk dua të besoj gjithashtu që dielli nesër do quhet i tillë, apo era vitin tjetër të llogaritet si tragjedi. Jetojmë në shekullin XXI, ku Kryeministri i lumturuar shfaqet me IPad. Ndryshe do ishte puna sikur të ishim në kohërat mesjetare dhe Berisha t’i bënte mbledhjet nëpër shpella me trupin mbuluar me gjethe fiku.

Në fakt ai ka kohë që shfaqet vetëm me një gjethe fiku. Një analizë fare e thjeshtë dhe e kapshme, edhe për syrin më të pavëmendshëm, e nxjerr atë zbuluar, të papërgjegjshëm, moskokëçarës ndaj Shkodrës e gjithë shqiptarëve, të paaftë për të menaxhuar dhe qeverisur dhe sigurisht të korruptuar me kuç e me maç.

Vetëm para pak se të ndodhte përmbytja e radhës në Shkodër, media u përfshi në një debat shterp për Piramidën, ku diskutohej me aq patos shëmtia apo bukuria e qytetit dhe mendja ta do se ne jemi një vend kaq i zhvilluar, sa të kemi luksin të përtypim debate të tilla për zbukurimin e vendit. Por pas "shëmtisë" së bulevardit fshihej shëmtia korruptive dhe miliona euro të taksapaguesve të hedhura dëm, për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisjes. Përditshmëria po tregon se ne jemi akoma një vend me infrastrukturë komuniste, që gjatë 20 vjetëve kemi bërë pak ose aspak për t’iu përshtatur mjedisisht kohërave të reja, mbipopullimit, mbitrafikimit, mbimodernizimit, mbipallatëzimit, mbiamortizimit të veprave të komunizmit dhe çdo lloj prurjeje tjetër që sjell me vete evolucioni. Por a është kaq e vështirë për median të ballafaqojë Berishën e para një viti me premtimet e tij për Shkodrën? A është vërtet e padrejtë t’i kërkosh qeverisë llogari për atë që tha dhe nuk realizoi? A nuk është kjo shprehja më tipike se sa larg janë qeveritarët shqiptarë nga veprat?

Kur Edi Rama deklaron se gjithë fatkeqësitë që po i ndodhin këtij vendi kanë lidhje me fatkeqësinë e kutive dhe moshapjen e tyre, gjithkush e ka quajtur si deklaratë politike. Në fakt, është politike sot e gjithë ditën dhe lideri i opozitës është duke ushtruar të drejtat dhe detyrat e tij. Por përtej politikës ka një të vërtetë shumë të madhe në këtë deklarim. Po, është tërësisht e saktë se një qeveri që manipulon me votat, që i vjedh ato për të qëndruar në pushtet, pak ose aspak e çan kokën se çfarë ndodh me njerëzit. Në sytë e pushtetarit ata nuk janë qenie njerëzore për të cilat qeveria kujdeset, ata janë thjesht letra pa vlerë që numërohen sipas qejfit, janë zëra pa zhurmë, që mbahen të mbyllur në kuti, e më pas ata janë kuti që kërcënohen me djegie. Njerëzit realë pas atyre kutive janë ata nën ujë dhe ata mbi ujë, të goditur nga dhjetëra fatkeqësi të vogla e të mëdha, që nga rritja e çmimeve, papunësia, keqedukimi, keqtrajtimi shëndetësor e lista vazhdon pa fund në çdo aspekt të asaj që quhet përditshmëri njerëzore. Nesër, kur zgjedhjet të vijnë sërish, të jeni të sigurt se ashtu sikur mori votat e varreve të Gërdecit, ashtu do numërojë Berisha sipas qejfit edhe votat e shkodranëve të plevitosur dhe rrënuar. Në fund të fundit ata janë për Berishën thjesht numra me të cilët bën ç'të dojë, i fut nën ujë, nën dhe, i varros-zhvarros, i largon nga atdheu, por i numëron prapë, i flak në kosh pastaj.

T’i marrësh tjetrit të drejtën e votës është njësoj sikur t’i kesh marrë lirinë, njësoj si t’i marrësh të drejtën për të jetuar, e as që bëhet fjalë pastaj për të drejtën për të jetuar mirë. Hidhuni një sy herë pas here varreve të fëmijëve të Sukthit. Ato janë një reflektim i drejtpërdrejtë i këtij pushteti.

Ashtu si Shkodra nën ujë sot është thjesht një reflektim i përsëritur. Fatkeqësia e saj sot nuk është një fatkeqësi natyrore, por një fatkeqësi berishiane.

Por fatkeqësia e fundit berishiane është fatkeqësia mediatike, e cila është e përmbytura e madhe jo nën ujë, por në llumin e korrupsionit, mpirjes dhe aprofesionalizmit.

Frika e medias kur ndonjëherë linja e opozitës largqoftë i bie të përputhet me linjën e saj, është një kompleks që duhet të ishte kapërcyer me kohë. Por në fakt, sot është kthyer në "virtyt" mediatik e kundërta: kur media i bën eco propagandës qeveritare, bosët mediatikë ndihen rehat dhe të lumtur, gazetarët të pakërcënuar e të qetë dhe jeta vazhdon me fatkeqësi të quajtura "natyrore", që marrin përditë jetë njerëzore.

Ka mbetur ende ndonjë që mos jetë dakord me këtë linjë rreshtimi? Anyone? Sigurisht që ka të tillë, por nuk janë shumica, nuk janë madje as pakica, janë individë që nuk numërohen dot as me gishtat e njërës dorë.

Ka njeri ende në media që mendon se natyra ka bërë dhe do bëjë punën e vet, sa herë të jetë dimër e sa herë të vijë vera. Ka njeri që shtron pyetjen: Sa i takon njeriut dhe qeverisë të bëjë në raste të tilla? Ka njeri që gjykon se njerëzit grupohen në parti e media, zgjedhin liderë dhe drejtues, sepse kanë nevojë për organizim, kujdes e mbrojtje? Ka ende njeri që mendon se kjo është arsyeja pse njerëzit në demokraci votojnë? Pse vota numërohet siç hidhet?

Nëse jo, hajde ta shpallim botërisht se ne shqiptarët nuk votojmë liderë, por votojmë për fatkeqësinë e ardhshme natyrore. Të paktën të jemi të ndershëm me veten, të ngremë duart nga qielli dhe të presim se mos ndoshta dikur nuk do bjerë më shi dhe nesër nuk do ketë më diell. Sa për Berishën, ai e ka përllogaritur që do të jetë aty në shpellën e tij me gjethe fiku edhe për 35 vjet të tjera. Dhe media duket se e ka aprovuar këtë mesazh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›