E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE mbron konsumatorët, nuk rrit çmimin e energjisë elektrike edhe për tre vjet

SHKRUAN: Sabina Veizaj 16-12-2011 11:27

Çmimi mesatar i energjisë elektrike për kilovatë/orë do të mbetet i pandryshueshëm në nivelin e 9.53 lekëve, deri më 2014-ën. Vendimi u mor dje nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili mbajti të pandryshuara tarifat për çdo kategori.

Asnjë qindarkë më shumë nuk do të paguajnë konsumatorët shqiptarë për çdo kilovat/orë energji elektrike të shpenzuar edhe për tri vitet e ardhshme. Në qoftë se një familje shqiptare do të konsumojë në 30 ditët e muajit më pak se 300 kw, do të duhet të paguajë po aq sa ka paguar edhe për vitin që po lëmë pas, 7.70 lekë për çdo kilovatë/orë. Ndërsa ato familje që në një muaj e kalojnë shpenzimin e 300 kilovat/orëve, do të paguajnë 13.5 lekë për çdo kilovat/orë. Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë shpalli dje vendimin zyrtar se tarifat për konsumatorët fundorë të energjisë elektrike nuk do të ndryshojnë edhe për tri vitet e ardhshme. Argumenti që ofroi kreu i ERE-s, Sokol Ramadani, për mbajtjen të pandryshuar të tarifës mesatare të energjisë elektrike është mbajtja e inflacionit brenda objektivave të Bankës së Shqipërisë dhe rënia e nivelit të humbjeve në rrjet. Në këtë mënyrë, sipas Ramadanit, institucioni që ai drejton, ashtu si përherë synon të mbrojë konsumatorët që furnizohen me energji elektrike me tarifë të rregulluar. Sipas vendimit të ERE-s, çmimi mesatar për tri vitet e ardhshme mbetet 9.53 lekë, duke u rishikuar kostot sipas rregullores çdo fundvit, por çmimi fundor mbetet i pandryshueshëm. Tarifat e energjisë elektrike mbeten të pandryshueshme për çdo kategori që shfrytëzon këtë produkt me tarifa të rregulluara; në këtë mënyrë sektori industrial do të vazhdojë të paguajë për çdo kilovatë/orë 9.10 lekë, tregtia dhe shërbimet 10 lekë, bujqësia 8.70 lekë etj. Në përfundim të mbledhjes, Shkëlqim Borgo, një prej komisionerëve të bordit të ERE-s, theksoi se procesi për vendimmarrjen në lidhje me tarifat e energjisë elektrike ishte transparent, por në periudhat e ardhshme duhet që ERE të forcojë monitorimin ndaj kompanive. Propozimet e operatorëve me shumicë dhe pakicë të energjisë elektrike që aplikuan tre muaj më parë pranë ERE-s ishin për OST rritje çmimi me 0.73 lekë për kwh për vitin 2012; CEZ Shpërndarje i kërkoi ERE-s miratimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për vitin 2012, mesatarisht 4.5 për qind, ndërsa KESH mbi 5 %. Kështu, rritja e çmimit u kërkua për të gjitha kategoritë, duke nisur nga 0.5 lekë deri në 1 lek për kilovat, sipas kategorive. Por tarifat e propozuara nuk morën dakordësinë e ERE-s. Tarifat aktuale do të mbeten në fuqi deri në 2014-ën dhe pas këtij viti, kërkesa për çmimin do të shqyrtohet një herë në tre ose pesë vjet.

Tabela e çmimeve të energjisë, që do të jetë në fuqi edhe për vitin 2011

Klientë të transmetimit TL me asete të zotëruara prej tyre - 6.20 lekë/kwh

Klientë të furnizuar në N/S 110 kv të shpërndarjes - 8 lekë/kwh

Klientë të furnizuar në 35 kV - 8.50 lekë/kwh

Klientë të furnizuar në 20/10/6 kw sipas kategorisë:

• Industri : 9.10 lekë /kwh

• Tregti & shërbime 10 lekë/kwh

• Furra buke, prodhim mielli 7.10 lekë / kwh

• Bujqësi 8.70 lekë /kwh

• Të tjerë 9.70 lekë/kwh

• Buxhetore 11.50 lekë/kwh

Klientë të furnizuar në TU sipas kategorive:

• Industri: 10.50 lekë / kwh

• Tregti & Shërbime: 12.20 lekë/kwh

• Furra buke & Prodhim mielli: 7.60 lekë kwh;

• Bujqësi : 10.50 lekë/kwh

• Të tjerë : 12 lekë / kwh

• Buxhetore: 14 leke / kwh

• Familjare:

-Blloku i Parë – deri në 300 kwh – 7.7.lekë kwh

-Blloku i Dytë – mbi 300 kwh – 13.5. lekë /kwh

Tarifa mesatare totale : 9.5306 lekë/kwh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›