Lyakhovich, Skelton apo Virchis, kundërshtarët e mundshëm të Krasniqit

Tronditja nga lajmi për anulimin e duelit me Aleksander Dimitrenkon akoma nuk ka kaluar plotësisht për Luan Krasniqin. "Kam punuar shumë për këtë duel, ndihem shumë në formë, dhe tani kjo...". Janë këto fjalët e boksierit shqiptar me pasaportë gjermane që tregojnë më së miri zhgënjimin që ai ka pësuar me të mësuar lajmin se dueli i 8 marsit nuk do të zhvillohet. Ukrainasi ishte tërhequr befasisht. Arsyeja e vërtetë është se Dimitrenko i cili ndodhet dhjetë vende më lart se Krasniqi në renditjen botërore të versionit WBO nuk kishte mundur të pranojë faktin që Luan Krasniqi do të paguhej më shumë për këtë duel.
Tani Krasniqit i ka mbetur vetëm për të shpresuar për të gjetur një zëvendësues të Dimitrenkos sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të rikthehet në ring. Menaxheri i tij Christoph Schickardt është i sigurt për një gjë të tillë dhe deklaron se shqiptari do të boksojë kundër njërit nga 5 boksierët më të mirë në versionin WBO. "Jemi marrë vesh me Klaus-Peter Kohl që Luani të ketë mundësinë për të boksuar me një boksier që është në Top 5", ka thënë ai për të përditshmen gjermane "Bild". Një përballje me kampionin botëror të versionit WBO, rusin Sultan Ibragimov si dhe me sfiduesin e parë, amerikanin Tony Thompson bie poshtë që në fillim. Mbetet që kundërshtari i ri i Krasniqit të kërkohet mes emrave të bjellorusit Serguei Lyakhovich (ish-kampion bote), veteranit anglez Matt Skelton apo edhe ukrainasit Vladimir Virchis. Në "Porsche-Arena" të Shtutgartit tashmë kanë filluar të kërkojnë një termin të lirë.