MADRID – Spanja shpall embargo armësh ndaj Izraelit

MADRID, 9 shtator /ATSH/- Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez njoftoi sot nëntë masa që synojnë ndalimin e “gjenocidit në Gazë”, duke përfshirë një embargo armësh ndaj Izraelit dhe një ndalim për anijet që transportojnë karburant për ushtrinë izraelite nga përdorimi i porteve spanjolle, sipas “Daily News”.
Njoftimi shënon përshkallëzimin më të fundit të kritikave të hapura të Spanjës ndaj ofensivës izraelite në Gazë, e cila u nxit nga sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit në vitin 2023.
“Masat synojnë të ndalojnë gjenocidin në Gazë, të ndjekin autorët e tij dhe të mbështesin popullsinë palestineze”, tha Sanchez në një fjalim televiziv.
Ai tha se qeveria e tij e krahut të majtë do të miratojë një dekret për të konsoliduar në ligj një ndalim për shitjen ose blerjen e pajisjeve ushtarake me Izraelin, një masë që e kishte zbatuar që nga fillimi i konfliktit.
“Anijet që transportojnë karburant të destinuar për ushtrinë izraelite do të ndalohen nga portet spanjolle dhe Spanja do të veprojë për të reduktuar transportin e pajisjeve ushtarake në Izrael nga ajri”, tha Sanchez.
“Të gjithë ata njerëz që marrin pjesë drejtpërdrejt në gjenocid, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës në Rripin e Gazës, do të ndalohen të hyjnë në territorin spanjoll”, shtoi ai.
“Spanja do të ndalojë gjithashtu importimin e produkteve nga “vendbanimet e paligjshme” në territoret palestineze me qëllim ndalimin e zhvendosjes së detyruar të popullsisë palestineze dhe mbështetjen e zgjidhjes me dy shtete”, tha Sanchez.
Shërbimet konsullore për qytetarët spanjollë që banojnë në vendbanimet e paligjshme izraelite do të kufizohen në ndihmën minimale të detyrueshme ligjërisht”, tha ai.
Sanchez njoftoi gjithashtu projekte të reja bashkëpunimi në bujqësi, siguri ushqimore dhe ndihmë mjekësore për të mbështetur Autoritetin Palestinez dhe fonde shtesë humanitare për palestinezët.
Sanchez ka qenë një nga kritikët më të hapur të luftës së Izraelit në Gazë, duke u bërë udhëheqësi më i lartë evropian që i referohet konfliktit si një “gjenocid”.
Qeveria e tij e majtë u nda nga aleatët evropianë vitin e kaluar duke njohur shtetin palestinez dhe zemëruar Izraelin. //a.i/