E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

MAS publikon datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2025

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit publikoi sot datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2025 për nxënësit që ndjekin arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional.

Në një postim në rrjetet sociale, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se “për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e Maturës 2025 tashmë janë publikuar dhe shpërndarë në çdo shkollë”.

Manastirliu i uron suksese të gjithë nxënësve që ndjekin arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional në shkollat e vendit.

Sipas MAS, provimi i Gjuhës së Huaj do të zhvillohet më 3 qershor, Gjuha Shqipe dhe Letërsia më 10 qershor, Matematika më 17 qershor dhe provimi me zgjedhje më 24 qershor.

Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë:
Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti

Të gjitha provimet do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës.

Procesi i hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve do të realizohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), duke siguruar standardet më të larta të transparencës dhe korrektësisë.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›