MASH: “Drejtori AVA-s, telefoni me leje nga Ministria dhe Policia”
Ministria e Arsimit me anë të një prononcimi për shtyp sqaron se mjediset e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) janë të izoluara me të gjitha mënyrat e kontrollit nga mjedisi i jashtëm dhe personeli futet në këto mjedise, pasi Policia e Shtetit ka inspektuar këto mjedise me metal-detector. Ndërsa personeli iu nënshtrua kontrollit trupor të policisë në momentin e hyrjes në Agjenci dhe pas fillimit të KOEPS-it (Koha e Ekspozimit Potencial të Sekretit) për të evituar praninë në këto mjedise të telefonave dhe çdo pajisjeje tjetër telekomunikuese. MASH-i bën të ditur se gjatë periudhës së izolimit, asnjë specialistë nuk mund të dalë nga këto mjedise, pa lejen e MASH-it dhe Policisë së Shtetit. Ndërsa lidhur me mbajtjen e telefonit celular të drejtorit të AVA-s, MASH-i sqaron se që nga viti 2006 titullari i AVA-s me autorizim të MASH-it dhe leje të Policisë së Shtetit mban një celular të kontrolluar (pa akses interneti) për të komunikuar me eprorët në rast emergjence teknike e shëndetësore.
Qeveria miraton rregulloren e veprimtarisë së KALSH-it
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen tij të radhës rregulloren “Për Ushtrimin e Veprimtarisë së Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës”. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH), rregullon veprimtarinë e tij mbështetur në këtë rregullore, që përcakton kompetencat, mënyrën e organizmit dhe funksionimit të këtij institucioni në varësi të Ministrisë së Arsimit. Por sipas vendimit, KALSH-i mund të përgatisë edhe një rregullore për funksionimin e tij të brendshëm, ose për koordinimin e veprimtarive të përcaktuara në këtë rregullore, brenda kompetencave dhe fushave të veprimtarisë së tij. Në këtë vendim janë 22 nene të cilat përcaktojnë: funksionin e kryetarit të Këshillit, funksionin dhe detyrat e Këshillit, përbërjen dhe përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit dhe sekretariatit teknik, komisionet, komitetet dhe grupet e punës së Këshillit, etj. e deri tek dokumentacioni që duhet të ruajë KALSH. Ndërkohë që për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar MASH-i që është dhe institucioni përgjegjës.
5 Qershor 2008