MASH: Profesionalet, letërsi dhe matematikë me detyrim
Sipas MASH, përqindja e notave për Matematikë dhe Letërsi, për shkollat profesionale dhe social-kulturore do të jenë të ndryshme
Matura
Këtë vit maturantët e shkollave të mesme profesionale dhe social-kulturore do të japin si provime të detyruara të maturës, lëndët Gjuhë-Shqipe dhe Matematikë. Madje dikasteri i Arsimit ka dhënë detaje mbi përqindjen e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) pikërisht për shkollat profesionale. Ndërkohë, specialistët shpjegojnë edhe arsyet se përse maturat e këtyre shkollave duhet të testohen për këto lëndë.
Kjo, sipas tyre, bëhet në sajë të idesë se nxënësit në shkollat e mesme duhet të marrin një kulturë të përgjithshme, të jenë të formuar sa më mirë dhe për shkak se nxënësit e këtyre shkollave nuk diskriminohen, në krahasim me gjimnazistët, pasi do të kenë një koeficient po aq favorizues për fakultete të tjera, që ua jep pikërisht provimi në fjalë.
Kriteret
Kritere të reja janë vendosur për tipe të ndryshme të shkollave të mesme. Ministria e Arsimit njofton se përqindja e notave të provimeve të detyruara për Maturën Shtetërore 2008, Matematikë dhe Letërsi, për shkollat profesionale dhe social-kulturore do të jenë të ndryshme. Kështu, për shkollat profesionale Letërsia do të mbartë 15% të peshës së pikëve të maturës kurse Matematika 25%, ndërsa në shkollat social-kulturore (përjashtuar shkollat pedagogjike) Matematika do të mbartë 15% kurse Letërsia dhe Gjuha Shqipe 25% të peshës së pikëve. Ndryshime do të ketë edhe në sajë të llojit të shkollës së lartë ku maturanti do të konkurrojë për të ndjekur studimet. Kështu, nxënësit e shkollave profesionale që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike do të japin provimet e Matematikës (maturë shtetërore) dhe provimin shkollor "Teori dhe praktikë profesionale". Gjithashtu nxënësit e shkollave social-kulturore që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike japin provimet e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe (maturë shtetërore) si dhe provimin shkollor "Teori dhe praktikë profesionale".
Arsyet
Janë 5 arsye që shpjegojnë specialistët e arsimit, se përse maturantët e shkollave të mesme profesionale duhet të testohen për Gjuhë-Letërsinë e Matematikën. Sipas tyre,
nxënësit në shkollat e mesme duhet të marrin një kulturë të përgjithshme në përshtatje me zhvillimet e sotme. Arsye tjetër është edhe fakti që, me qëllim që të kemi një nxënës të formuar sa më mirë në kulturën e përgjithshme, në këtë rast, do të jenë më të vëmendshëm ndaj kësaj lënde. "Nxënësit e këtyre shkollave nuk diskriminohen, në krahasim me gjimnazistët, pasi do të kenë një koeficient po aq favorizues për fakultete te tjera, që ua jep pikërisht provimi më fjalë",- pohojnë specialistët duke shtuar se për t'i ardhur në ndihmë maturantëve MASH ka nxjerrë udhëzimin i cili cakton një mësues që do të bëjë konsultime një orë në javë për lëndët Letërsi/Matematikë dhe që do të paguhet nga shteti me orë plus. Ndërkohë bëhet e ditur se këto shkolla kanë marrë që në tetor 2007 programet orientuese, të cilat përfshijnë konceptet kryesore të lëndëve, ndërsa maturantët e tjerë këto programe i kanë marrë në mars 2008.
Pikët që të kualifikojnë për në shkollë të lartë, përbëhen nga 5 komponentë
Mesatarja e shkollës së mesme (20%)
Provimi 1 i detyruar (D1, Gjuhë-Letërsi, 20%)
Provimi 2 i detyruar (D2, Matematikë, 20%)
Provimi 1 me zgjedhje (20%)
Provimi 2 me zgjedhje (20%)
Përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale dhe social-kulturore do të jetë si më poshtë:
a. Në shkollat profesionale: Letërsia 15%, Matematika 25% (të peshës së pikëve të Maturës)
b. Në shkollat social kulturore (përjashtuar shkollat pedagogjike): Matematika 15%, Letërsi dhe Gjuhë Shqipe 25% (të peshës së pikëve të Maturës)
Nxënësit e shkollave profesionale, që nuk do të vazhdojnë studimet në
shkollat e larta publike japin provimet e mëposhtme:
a. Matematikë (Maturë Shtetërore)
b. Provim shkollor "Teori dhe praktikë profesionale"
Nxënësit e shkollave social kulturore, që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike japin provimet e mëposhtme:
a. Letërsi dhe Gjuhë Shqipe (Maturë Shtetërore)
b.Provim shkollor "Teori dhe praktikë profesionale"