E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat e Berishës

 

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është lideri më i drejtpërdrejtë që ka bota. E thotë troç atë që ndjen. Kur i dalin të palarat dhe krimet e qeverisë, nuk i do mediat, por kur ato evokojnë sukseset e saj, ai i ka xhan. Na e ka thënë tri herë brenda dy muajve të fundit.

Dje na kishte shumë xhan: "Sot është një rast për të falënderuar mediet, të cilat në dallim nga shoqëria civile janë pushteti i katërt, shumë i fuqishëm, konturuar si pushteti pa të cilin nuk ka demokraci",- ishte deklarata e kryetarit të PD-së dhe të qeverisë në mbledhjen e grupit parlamentar.

Dhe kë lavdëroi? Mafien që është në median shqiptare, të cilën Doktori i PD-së e zbuloi në dy zhvillimet e fundit dramatike në vend, siç ishte masakra qeveritare në Gërdec dhe rritja e çmimit të bukës për popullatën. "Nuk do të shprehja këtu habi ndaj disa zëdhënësve, mercenarëve të mafies, gazetarë që, duke shkelmuar në mënyrën më të turpshme mbi moralin njerëzor, kërcenin nga gëzimi në ekranet e tyre dhe manipulonin me fatkeqësinë e viktimave, ma thanë edhe familjarët. Kjo ishte e pabesueshme për sytë e mi dhe të atyre të asaj zone, se si këta mercenarë "non stop" bërtisnin "Rroftë vdekja, poshtë qeveria". (Fjalimi në mbledhjen e Qeverisë, më 19 mars 2008)

Dhe tjetri: "Mediat shkonin dhe i kërcënonin bukëpjekësit të ndryshonin etiketat e çmimeve vetëm sa për t'i filmuar çmimet e larta, por ky nuk është profesionalizëm, është anti-profesionalizëm, sepse tregu ka forcën dhe rregullat e tij". (Fjalimi në mbledhjen e Qeverisë, më 26 shkurt 2008).

--------------------------------------------------------Bizneset e Gërdecit

Kur mendonin se ua kishin hedhur telasheve me taksat e larta dhe ryshfetet nën dorë, krizën energjetike, paketën e re fiskale, nismën e re për vjeljen e gjobave pa apelim, qeveria ua hodhi të keqen andej nga nuk e prisnin... nga Gërdeci. Tri javë pas masakrës shtetërore, qindra biznesmenë po mendojë si të vetërregullohen, sepse qeveria as nuk do t'ia dijë për ta. "Shkova të pyes te zyra e Bashkisë së Vorës dhe ata jo vetëm që nuk ia kishin haberin, por edhe nuk të kthejnë as përgjigje, more, terr informativ",- u ankua te "Spiuni" njëri prej biznesmenëve.

"Një problem të veçantë përbëjnë bizneset që duhet të rindërtohen me shpejtësinë më të madhe. Organet tatimore dhe Ministria e Financave kanë përpunuar dje skemën e përllogaritjes së dëmit për biznesit, duke u bazuar në investimet e deklaruara të tyre dhe do t'u disbursohet shuma e humbur për ngritjen sa më shpejt të bizneseve të tyre. Disa prej tyre kanë qenë të siguruar dhe kompanitë e sigurimeve kanë treguar gatishmëri të plotë për t'iu përgjigjur detyrimeve që rrjedhin nga sigurimi",- premtonte kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë, më 19 mars 2008.

-"Po mirë, ndoshta fajin e keni vetë që nuk keni qenë të siguruar",- e justifikoi "Spiuni" mos mbajtjen e premtimit nga Kryeministri.

-"Për ç'lesh sigurimi më flet, ore!- iu hakërrye biznesmeni.- Po pse, ka sigurim që të mbulojë Gërdecin?".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›