E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH apel për regjistrimet në universitete

TIRANE- Ministria e Arsimit dhe Shkencës u bën thirrje kandidatëve, që u shpallën fitues në fazën e parë për në shkollë të lartë, që të regjistrohen, pavarësisht preferencave që kanë. Kjo pasi në të kundërt, ata do të eliminohen krejtësisht nga sistemi, duke humbur kështu të drejtën e studimit, për vitin akademik që pritet të nisë në tetor.

Afati i fundit i regjistrimit është ora 18:00, e datës 18 shtator. "Unë u bëj apel të gjithë të rinjve, që të bëjnë regjistrimin, në mënyrë që të jenë pjesë e vazhdimit të garës së sistemit. Që do të thotë se, të gjithë ata që regjistrohen në universitetet publike, do të kenë mundësi të përfitojnë nga vendet që do të mbeten më pas bosh. Asnjë student që nuk regjistrohet për arsye se nuk i pëlqen dega, nuk mund të vazhdojë garën dhe të jetë pjesë e fazës së dytë të regjistrimit, që do të thotë të ndjekin preferencat e tyre", - ka shpjeguar zëvendësministrja, Nora Malaj.

Pas kësaj faze të parë pritet të mbeten pa plotësuar mbi 3 mijë vende, që janë të rinj të cilëve u ka dalë shkolla e lartë jashtë vendit. Vendet e mbetura bosh pas përfundimit të fazës së parë do të rishpërndahen dhe lista përfundimtare e fituesve bëhet publike më 23 shtator.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›