E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH dërgon 70 laboratorë kompjuterësh për shkollat e Beratit

BERAT- Duke filluar që nga dita e djeshme, nxënësit e shkollave të qytetit të Beratit do të kenë mundësi të zhvillojnë orët e mësimit me laboratorë virtualë, ku çdo lëndë e shpjeguar do të demonstrohet nëpërmjet videoprojektorëve. Në kuadër të programit Cilësi dhe barazi në arsim ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe mbështetur nga Banka Botërore, në qytetin e Beratit është investuar me 70 laboratorë virtualë për shkollat e arsimit parauniversitar. Ky program ka si qëllim përfshirjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të teknologjisë së informacionit në arsim. Investimi për shkollat 9- vjeçare dhe të mesme të këtij qyteti përfshin 70 sete laboratorësh me kompjutera, videoprojektorë, si dhe multimediale për përdorimin e mësimdhënies në lëndët fillestare. Drejtori i Drejtorisë Arsimore të Beratit, Yzedin Hima, bëri të ditur se vënia në përdorim e këtyre laboratorëve synon përmirësimin e procesit mësimor në shkollat e këtij qyteti. Kështu, mësuesit do të kenë mundësi që lëndët e tyre ti shpjegojnë nëpërmjet programeve që do të shfaqen në videoprojektor. Gjithashtu, sipas Himës ka nisur dhe trajnimi i mësuesve nga Instituti i Kurrikulës dhe Standardeve, ndërkohë që parashikohet që brenda vitit 2009 shkollat e rajonit do të pajisen plotësisht me kabinetet e informatikës. Ditën e djeshme në shkollën 9- vjeçare 22 tetori është zhvilluar një orë mësimi në lëndën e fizikës, ku nxënësit kanë ndjekur shpjegimin nëpërmjet programit të instaluar nga Ministria e Arsimit.     

Email This Klikime: 7

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›